Në vitin 2014, Shqipëria, Kosova dhe Serbia, përkundër rezistencës së të Gjelbërve, qenë shpallur nga Gjermania si vende të sigurta për kthimin e refugjatëve. Për pasojë, azilkërkuesit nga këto vende nuk do të kishin fare shanse për të fituar azilin. Dhe, si kompromis Berlini zyrtar kishte pranuar një zgjidhje që do t`u mundësonte një numri të azilkërkuesve të refuzuar, ardhjen në Gjermani, shkruan Süddeutsche Zeitung. Por tash jo më si refugjatë por si të punësuar në mënyrë legale.

Brenda dy viteve në vijim, këtë përvojë e kanë bërë rreth 40 mijë shtetas të këtyre tri vendeve, transmeton albinfo.ch. Kompromisi i para tri viteve doli një zgjidhje e mirë dhe praktike, si mundësi punësimi por edhe si preventivë e valëve të refugjatëve nga Ballkani në Gjermani.

Vendimtare për këtë sukses ka qenë puna e dy agjenturave shtetërore: GIZ (Shoqëria për Bashkëpunim Ndërkombëtar) dhe BA (Agjentura Federale e Punës). Ato së bashku në zyrat e tyre të ashtuquajtura “Qendra për këshillim të migrantëve” në Kosovë, Shqipëri dhe Serbi bëjnë këshillimin dhe orientimin e atyre që duan të shkojnë legalisht për të punuar në Gjermani.

Thea Decker punon në BA dhe është përgjegjëse për bashkëpunim ndërkombëtar. Ajo thotë se është arritur një parandalim i refugjatëve pikërisht nga ato vende prej nga të cilat ka pasur më shumë refugjatë ekonomikë.

Ajo flet për një “nevojë të hatashme” dhe kur e thotë këtë, nuk mendon vetëm për nevojën që kanë ballkanasit për punë në Gjermani por edhe për nevojën që punëdhënësit gjermanë kanë për punëtorë. Ka qenë pikërisht interesimi i punëdhënësve ai që ka bërë që aplikuesit nga këto tri vende të mos kenë nevojë as të kenë kualifikime të veçanta për të ardhur në Gjermani.

Po u paraqitët në njërën nga byrotë e përmendura, BA në Gjermani gjen një punëdhënës i cili është interesuar të punësojë dikë dhe pastaj e fitoni lejen e punës, me opsionin e vazhdimit të saj. Decker thotë se më shumë nevojë ka në profesionet deficitare në Gjermani si përkujdesja për pleq dhe të sëmurë. Por kërkohen po ashtu edhe elektricistë dhe zejtarë të tjerë.

Rreth 40 mijë veta kanë ardhur në këtë mënyrë brenda dy viteve nga Kosova, Serbia dhe Shqipëria ndërsa tendenca tregon rritje. Kjo është edhe një dëshmi se koordinimi në mes të GIZ dhe BA ka funksionuar mirë. Dhe një sukses i këtij bashkëpunimi është fakti se u bëhet e qartë njerëzve nga këto vende se aventura e azilit do t`u kushtonte shumë më shtrenjtë dhe nuk do t`u ofronte asnjë shans për sukses.

Nga fillimi, GIZ ka investuar rreth 500 mijë euro në vit për katër zyrat. GIZ po ashtu ndihmon refugjatët që kthehen në vendet e përmendura pas refuzimit nga Gjermania, që të integrohen më shpejt dhe më me sukses.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb