NGA: DARINA TANUSHI*TIRANE- Kryeministri Edi Rama përshëndeti dje qëndrimin e Gjermanisë për hetim ndërkombëtar në lidhje me ngjarjet që ndodhën më 9 maj në Kumanovë, ku mbetën 22 viktima. “Mirënjohje Gjermanisë për kërkesën publike për hetim ndërkombëtar për Kumanovën! Drejtësia për Kumanovën, gur në themelin e bashkëjetesës”, shkroi dje kryeministri Edi Rama në rrjetin social “Facebook”. Ndërkohë, burimet e “Abc News” bënë të ditur dje se zyra e shtypit të ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier e ka hedhur poshtë pretendimin e palës shqiptare se Berlini zyrtar ka kërkuar hetim ndërkombëtar.

“Në asnjë moment ministri Steinmeier nuk ka përmendur gjatë konferencës për shtyp me ministrin Bushati një hetim ndërkombëtar në Maqedoni”, – janë shprehur burime të kësaj zyre. Kjo zyrë ka dërguar edhe transkriptin e plotë të deklaratës së ministrit të Jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeier për Maqedoninë. “Kemi biseduar për situatën aktuale në Maqedoni. Incidenti që ndodhi javën e fundit ka tronditur Europën, por e ka bërë gjithashtu që t’a shohë më afër situatën atje. Unë shpresoj që ajo çfarë ne kemi parë të mos jetë një nisje e përshkallëzimit të situatës, por të kërkojmë përgjegjësit në Maqedoni. Autoritetet në Maqedoni duhet të bëjnë përpjekje sa më shumë të jetë e mundur për një hetim transparent në lidhje me incidentet dhe për të siguruar se nuk do të ketë incidente të tjera të kësaj natyre”, – ka thënë ministri i Jashtëm gjerman, sipas zyrës së tij të shtypit.

“Unë jam kaq mirënjohës që BE-ja po përpiqet të ushtrojë influencën e saj dhe ka rënë dakord për të ndërmjetësuar. Shpresoj që jo vetëm situata në Maqedoni të qetësohet, por vendi të vazhdojë me vendosmëri rrugën drejt BE-së dhe jo të ngrejë dyshime për këtë”, ka thënë Steinmeier. Ndërsa përgjigjja e ministrit Stenmeier mbi pyetjen e gazetarit për Maqedoninë ishte kjo: “Ajo që unë kam shprehur këtu, nuk është një shqetësim veçanërisht gjerman, por ky është një shqetësim europian, i cili tashmë është bërë mjaft i qartë gjatë dy takimeve të fundit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm. Dhe në këtë drejtim ne themi: ‘Çdo tension në një shtet të Ballkanit Perëndimor mund të ndikojë te fqinjët’.

Kjo është arsyeja pse jemi të prirur për të mbajtur jo vetëm një sy vigjilent për Maqedoninë, por që të përkujdesemi që në Maqedoni të mos zhvillohet asnjë tension që mund të çojë në një divergjencë, apo hapje konflikti midis grupeve etnike. E kam diskutuar këtë me kolegun tim maqedonas në buzë të takimit të NATO-s në Antalia dhe i thashë homologut tim: ‘E vetmja mënyrë për të larguar dyshimet është një sqarim i hapur dhe transparent i ngjarjeve që ndodhën’. Ne tani do të shohim nëse do të ndodhë”, mbyllet deklarimi i ministrit të Jashtëm gjerman. Ndërsa në njoftimin për shtyp të MPJ shqiptare thuhej se: “Ministrat ndanë mendimin për rëndësinë e integritetit territorial dhe stabilitetit në Maqedoni dhe zgjidhjen sa më parë të krizës politike në vend, evitimin e konvertimit të saj në një krizë ndëretnike dhe me pasoja për stabilitetin rajonal.

Të dy ministrat bënë thirrje për një investigim të plotë, transparent dhe profesional të ngjarjeve në Kumanovë, si e vetmja mundësi për të rikthyer besimin tek institucionet”, thuhej në njoftimin për shtyp. Po dje, në seancën plenare, Bushati tha: “Çfarë mund të bënte më shumë Shqipëria për Kumanovën?! Si ka mundësi që ne zyrtarisht kërkuam hetim transparent ndërkombëtar për Kumanovën? Të njëjtën kërkesë bëri dje (pardje), ministri gjerman”, – tha ai.
(ed.me/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: