Nga: AURORA KOROMANI*
TIRANE – Ambasadorin amerikan, Aleksandër Arvizu, e ftova në shtëpinë time dhe i ofrova mjaltin dhe rakinë e zonës”. Ky është rrëfimi i Gjet Gjonit, i cili jeton prej vitesh në banesën që ndodhet shumë pranë burgut të Spaçit në Mirditë, aty ku pak ditë më parë ambasadori amerikan në Shqipëri, Aleksandër Arvizu ka zhvilluar një vizitë. Gjatë kësaj vizite, ambasadori ka marrë një ftesë nga familja Gjoni dhe ai nuk e ka refuzuar, por ka pranuar me kënaqësi që 30 minuta t’i kalojë me pjesëtarët e kësaj familjeje. I kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare”, Gjoni tregon se çfarë ka biseduar gjatë vizitës së ambasadorit Arvizu në familjen e tij, mikpritjen që i ka bërë ambasadorit dhe mbresat e kësaj vizite.
Zoti Gjoni, para pak ditësh ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu ka zhvilluar një vizitë në burgun e Spaçit. Pas kësaj vizite, zoti Arvizu me kërkesën tuaj ka bërë edhe një vizitë të shkurtër në banesën tuaj. Si ju erdhi ideja për t’i bërë këtë kërkesë ambasadorit dhe si e priti ai kërkesën tuaj?
Ju faleminderit juve për intervistën. Ambasadori ka qenë te burgu i Spaçit, ka qenë një vizitë familjare dhe ai pa burgun, u njoh me vështirësitë që kanë pasur në burgun e Spaçit, u njoh me historinë e këtij burgu. Dhe, në momentin që familja e ambasadorit ishte duke u larguar, unë i bëra një ftesë që ambasadori të vinte në shtëpinë time. Familja ime prej kohësh ka pritur dhe ka përcjellë familje ish-të dënuarish, prindërit e tyre i kemi ndihmuar në kohë shumë të vështira. Prindërit e ish-të dënuarve kanë jetuar me ne, sepse ish-të dënuarit dënoheshin familjarisht, jo vetëm ata individualisht, dhe ne në familje jemi rritur me ish-të dënuarit. Të gjitha këto unë ia komentova zotit Arvizu dhe, në momentin që i thashë këtë gjest human që ka bërë familja ime, ai me kënaqësinë më të madhe pranoi ftesën time. Komentet për ftesën ai do i bëjë në një intervistë të vetën. Për mua, vizita e ambasadorit është një vizitë historike, një rikthim i bamirësisë që ka bërë familja ime, një gjë shumë e madhe për familjen time që të vijë një ambasador.
Sa ka zgjatur vizita e ambasadorit amerikan në familjen tuaj?
Vizita ka zgjatur gjysmë ore pothuajse. Një vizitë humane, e thjeshtë dhe tepër njerëzore. Unë them me plot bindjen se nga kjo vizitë kuptova se ishte një familje shqiptare, kaq e thjeshtë dhe kaq e ëmbël dhe kaq humane e ambasadorit.
Për çfarë biseduat gjatë kësaj vizite?
Ne thjesht në këtë vizitë folëm për zonën, pasi ambasadori donte të dinte gjithçka për zonën, se si jetohet këtu, se si janë pritur familjet e ish-të dënuarve. Por, vizita ka qenë shumë humane. Folëm për burgun e Spaçit.
Patët mundësi që gjatë kësaj vizite ta prisnit ambasadorin Arvizu me bujarinë dhe mikpritjen tradicionale shqiptare?
Gjatë kërkesës që i bëra ambasadorit, i thashë që kërkesa ime ishte që të dilte nga kjo vizitë me një lugë mjaltë të zonës, sepse ne e kemi traditë mjaltin, dhe ai mbeti shumë i kënaqur për gjërat bio që kjo zonë ka. Zoti ambasador preferoi të shihte djathin, të shikonte mjaltin dhe u interesua se si jetohet këtu dhe me çfarë merret kjo zonë, dhe unë i shpjegova se popullsia e kësaj zone merret me bletari dhe blegtori.
Kanë qenë delegacione apo personalitete të tjera në shtëpinë tuaj?
Kanë qenë shumë, por dua të dalloj ansamblin e shtetit, të cilët kanë qenë në familjen time për një drekë. Veç tyre kanë qenë shumë turistë italianë, austriakë etj. Kanë qenë edhe vetë trupat amerikane gjatë lëvizjes, sepse nga vetë pozicioni i shtëpisë, që është në rrugë, të gjithë që kalojnë në këto anë, ndalojnë në këtë shtëpi. Mbaj mend që, kur kanë kaluar trupat paqeruajtëse amerikane, kanë dashur që të pinë një gotë raki të zonës.
Po ambasadorit amerikan, ia ofruat një gotë raki të zonës?
Kjo ishte një vizitë private e zotit ambasador. Unë ia ofrova zotit Arvizu një gotë raki, i ofrova djathin dhe ai mbeti shumë i kënaqur, i ofrova mjaltin e zonës. Por, nga kjo vizitë më bëri shumë përshtypje se zoti ambasador m’u duk si një shqiptar i vërtetë dhe për momentin e humba se kam të bëj me një personalitet të Shteteve të Bashkuara. Ai u tregua shumë i thjeshtë dhe shumë njerëzor me ne gjatë kësaj vizite.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: