Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, në intervistën pas ndeshjes në Kupë kundër Tiranës, e vlerësoi kundërshtarin dhe u shpreh optimist për rezultatin, por evidenton faktin se lojtarët bardheblu shfaqën shumë nerva gjatë takimit, dhe kjo nuk i ka pëlqyer.

“Ishte një penallti që arbitri nuk e dha. Në fakt ishin dy, por po them një. Rezultati final, gjithsesi, na favorizon për ndeshjen e kthimit, por duhet ta vlerësojmë kundërshtarin. Tirana ka ekip të mirë, por sot (dje) nuk ka luajtur shumë fort. Nuk na pëlqeu loja me nerva e lojtarëve të Tiranës.”

“Tanët u ruajtën, sepse kemi një ndeshje të fortë në fundjavë me Flamurtarin. Edhe trajneri ka ruajtur disa lojtarë. Kampionati është shumë i ngjeshur. Duhet ta vlerësojmë maksimalisht Flamurtarin që të arrijmë të fitojmë ndeshjen. Sa i përket trajnerit, deri tani jam i kënaqur.”

“Gjithsesi, kampionati është i gjatë, ka ndeshje shumë të forta, them se tani nga ana e stafit teknik është mirë, por dhe nga organika. Kishim disa mungesa, ndaj sot (dje) kjo bëri që të na çakordoheshin disa reparte. Kukësi e ka marrë veten, siç e keni parë dhe në ndeshje të tjera. Pësuam gol për një gabim të mbrojtësit të djathtë, përsëri në fund arritëm që të barazonim”.

Tirana i mori Kupën vjet dhe Superkupën, megjithatë presidenti mendon se ka ardhur koha për t’i thënë “stop”. “Edhe vjet duhet t’i thoshim ‘stop’, por për disa gabime tona na mori Kupën dhe Superkupën. Na vjen keq për Tiranën, por ne do ta kalojmë. Ne e kemi objektiv kryesor titullin, por objektiv është edhe Kupa. Trajneri i ka si marrëveshje të dy trofetë.”

“Në kampionat kemi diferencë pikësh me kryesuesit, por themi se kampionati është i gjatë dhe ka shumë pikë në lojë. Ne duhet të shohim ndeshjet tona dhe të mos gabojmë. Të fitojmë ndeshjet tona, pastaj të shohim se çfarë bëjnë kundërshtarët”, theksoi presidenti.

Ndërsa në fund kur pyetet për titullin deklaron: “Kampionati është i gjatë. Ne kemi objektiv kryesor titullin, por nuk do të heqim dorë edhe nga Kupa”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb