Safet Gjici, presidenti i Kukësit, pas angazhimeve politike, ndonëse ai sqaron se me mendje ka qenë gjithmonë aty, është rikthyer të flasë për çështjet e klubit verilindor që objektiv kryesor këto kohë ka kalimin e fazës së dytë të Ligës së Kampionëve.

Gjici thekson se pavarësisht se Sherif Tiraspol është një skuadër më e organizuar dhe më e fortë financiarisht Kukësi do arrijë ta kalojë atë. Më tej numri 1 i verilindorëve jep dhe lajmin e madh se sëbashku me federatën dhe qeverinë shqiptare është në bisedime për ndërtimin e një stadiumi të ri në Kukës.

Merkato deri tani

“Të them të drejtën, edhe pse kam qenë i angazhuar në fushatë, kishim kontakte me menaxherët e klubit për të bërë disa blerje që stafi teknik i kërkonte. Jam në dijeni të disa blerjeve të mira, jam në pritje të disa të tjerëve.

Por besoj që ekipi deri diku është kompletuar për të përballuar një ekip siç është Sherifi i Tiraspolit që është shumë i fortë, i organizuar mirë, me investitorë të fuqishëm. Besoj që ekipi do të japë rezultat pozitiv dhe do ta kalojmë këtë tur.”

Përforcime të tjera

“Ju e dini se asnjëherë nuk e mbyll merkaton deri në afatin e fundit. Problemi është që të marrim lojtarë cilësorë e që të bëjnë diferencën qoftë në kampionatin shqiptar, ashtu edhe në kupat e Europës. Nëse do të ketë, do të jemi në tentativa me disa cilësorë, nëse do të arrijmë marrëveshjet do të provojmë deri në fund.

Nuk është se është mbyllur sot merkatoja. Bëhet fjalë në repartet e sulmit kryesisht dhe mesfushës sepse besoj që mbrojtja deri diku është plotësuar, porta po ashtu. Kërkesat më të mëdha janë te sulmuesit e krahëve dhe kryesorët. Që të ketë rivalitet e konkurrencë mes Pejiçit dhe ndonjë tjetri që e zëvendëson drejtpërdrejt atë.”

Kundërshtari në Ligën e Kampioneve

“Sherifi është një ekip që si strukturë klubi e ka shumë më të organizuar se ne, por ne kemi treguar që kalojmë edhe ekipe më të fortë. Ndaj unë besoj shumë te stafi teknik dhe lojtarët se do ia dalim duke marrë një rezultat pozitiv atje dhe pastaj kuptohet objektivi kryesor është kalimi i turit.”

Investimet në klub
17506598_794590654027102_1834346051_n-770x470
“Unë u kam garantuar dhe premtuar kuksianëve, të gjithë tifozëve, edhe ata që mbështetën sportin dhe mua, që ne do të veprojmë si kampionë. Duhet të ketë kushte të tjera në Kukës, një stadium që të plotësojë kushtet për ndeshjet e Champions apo Europa Ligës. Besoj se ajo do të ishte dhurata më e madhe për kuksianët, që ata ta shohin skuadrën në shtëpinë e vetë.

Kemi filluar bisedimet me Federatën dhe me qeverinë, ka premtim të kryeministrit Rama që do të bëjmë edhe stadiumin e Kukësit, do të ngremë edhe akademinë. Do të bëjmë investime të mëdha, si në infrastrukturë, ashtu edhe në strukturën organike, duke filluar me drejtor sportiv.

Jemi në negociata me disa drejtorë sportivë, madje edhe të huaj, për ti dhënë një tjetër stad, një tjetër organizim të gjithë klubit të Kukësit, në mënyrë që të jetë me të vërtetë një klub model në të gjitha aspektet, siç janë të gjithë klubet e organizuar si në rastin konkret të Sherif Tiraspolit.”

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb