I kënaqur me lojën, por shumë i zhgënjyer për mënyrën se si Kukësi i tij humbi në fundin e ndeshjes. Presidenti Safet Gjici, i kontaktuar nga “Panorama Sport” pak minuta pas përfundimit të sfidës, foli për debutimin historik të Kukësit në Ligën e Kampioneve. Kreu i klubit thur elozhe për portierin Enea Koliçi, ndërsa nuk i kursen kritikat për mbrojtësin spanjoll, Alberto Serran, i cili shkaktoi penalltinë.

HUMBJA DHE KOLIÇI – “Natyrisht që jam shumë i zhgënjyer për mënyrën se si humbëm. E them këtë, pasi me lojën që skuadra bëri për 90 minuta, rezultati më i drejtë do të ishte barazimi.

Portieri Koliçi ka qenë një hero i vërtetë. Ai meriton falënderimet e përzemërta nga ana ime për paraqitjen që bëri kundër Sherifit. Nuk e teproj kur them që ishte sa 70% e skuadrës në ndeshjen e sotme (dje).

Shpëtoi gola të sigurt dhe na mbajti në lojë për minuta të tëra, por skuadra nuk diti të shfrytëzonte këtë meritë të portierit”, ka thënë fillimisht Gjici.

GAFA E SPANJOLLIT – Gjici mendon se një lojtar me shumë eksperiencë si Serran nuk mund të bënte atë veprim brenda zonës. Ish-mbrojtësi i Espanjolit në Premiera Divizion shkaktoi një penallti, duke bërë një debutim për t’u harruar me fanellën e Kukësit.

“Mbrojtësi spanjoll bëri një gabim që nuk mund ta bëjë kurrë një lojtar me eksperiencë ndërkombëtare siç është ai. Më vjen keq që ndodhi kështu në debutim. Ishte një moment që duhet ta evitonte, por tashmë ajo ndodhi dhe nuk kthehet pas. Realisht më vjen shumë keq që humbëm për këtë gabim”, theksoi presidenti.

BESIMI TE PËRMBYSJA – Më 19 korrik, në stadiumin “Elbasan Arena”, do të luhet ndeshja e kthimit mes Kukësit dhe Sherif Tiraspolit. Tashmë kampionëve të Shqipërisë u duhet një fitore me dy gola diferencë për t’u kualifikuar në turin e tretë të Champions-it.

“Patjetër që besojmë te përmbysja. Sherifi nuk ka ndonjë nivel shumë më të lartë se ne. Jam i bindur që me mbështetjen e tifozëve do të kualifikohemi”, përfundoi Gjici.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: