Nga: BRIKENA METAJ
GJIROKASTER – Të vizitosh Shqipërinë duket se është kthyer në një sfidë me veten për ata turistë që vendosin të vijnë për herë të parë në vendin e shqiponjave.

Shumë prej tyre të përgatitur për t’u përballur me një situatë mbijetese, ku këshilla kryesore që marrin nga guidat e tyre është qëndrimi në grup, jo për të mos humbur rrugëve të një vendi të panjohur, por të shmangur në maksimum mundësitë e vjedhjes apo grabitjeve.

Në sytë e turistëve, Shqipëria dhe shqiptarët vazhdojnë ende të jenë të paragjykuar. Por siç pohojnë dhe vetë turistët, realiteti është krejt ndryshe.

“Janë të gjitha gënjeshtra, pohon një turist Italian. Mund të eci rrugëve i qetë, pa asnjë shqetësim”- shprehet një prej tyre.

Duket se imazhi negativ i emigrantëve që në vite kanë emigruar jashtë vendit, ka bërë që turistët e huaj, e kryesisht ata italianë, të përballen në Shqipëri me një realitet krejt të ndryshëm nga ai që prisnin, duke vlerësuar mikpritjen, zemërgjerësinë dhe karakterin evropian të shqiptarëve.

“Jemi italianë, kemi ardhur me një grup kamperistësh dhe jemi ndier vërtet të mikpritur. Kemi parë qytete që të përcillnin jo vetëm shumë ngrohtësi, por edhe shumë kulturë, në mënyrë të veçantë Gjirokastra që është një muze I madh kombëtar. Nuk është rastësi që e kanë cilësuar të tillë dhe e meriton vërtet. Ne kemi vërtet paragjykime për shqiptarët duke I cilësuar si njerëz që nuk kanë shumë kulturë, por këtu kemi parë shumë mikpritje, zemërgjerësi nga shqiptarët. Unë mendoj se mes dy popujve tanë nuk ka ndryshime të mëdha, ka thjesht më shumë rrugë për të bërë nga shqiptarët që tashmë janë si Italia në vitet ’50 – ’60, por mund të themi se po ecni në drejtimin e duhur. Ju lumtë shqiptarëve! Keni ende rrugë për të bërë! Nga aq sa kam parë deri tani, Gjirokastra duket një qytet i bukur dhe i ruajtur mirë. Kemi vizituar disa qytete të ndryshme në Shqipëri, njëri ndryshe nga tjetri, por Gjirokastra mund të cilësohet pa frikë si një qytet unik.”- shprehen turistët.

Por pavarësisht pasurive natyrore e kulturore që u ofrohen me tepri, turistët nuk mund të mos vënë re mungesën e infrastrukturës së duhur turistike. Ata ankohen për mungesën e guidave turistike brenda kalasë së Gjirokastrës dhe tabelave orientuese për objektet të cilat shohin, që edhe pas vizitës në këtë kala mbeten po aq të panjohura sa dhe më parë.

“Dua të ankohem se këtu në kala, por edhe në qytet mungojnë guidat e shkruara apo të folura që të na shpjegojnë atë që ne shohim, pasi ne vijmë vërdallë nëpër kala, por nuk dimë çfarë shohim dhe kjo është e trishtueshme”- thonë ata.

Promovimi në rritje i qytetit të gurtë të Gjirokastrës ka rezultuar në shtim të numrit të turistëve që këtë sezon veror kanë vizituar Gjirokastrën. Vetëm për muajt korrik e gusht kjo shifër ka shkuar në mbi 20 mijë turistë.

Gjirokastra po renditet përherë e më shumë në qytetet elitare të turizmit shqiptar, duke thithur një numër përherë në rritje të turistëve edhe pse ai vazhdon të jetë i lartë vetëm gjatë sezonit veror, pavarësisht se Gjirokastra pretendon për një turizëm gjithëvjetor.

Turistët që vizitojnë qytetin e gurtë mbeten përherë të mahnitur nga paketa e plotë turistike që u ofron qyteti dhe rrethinat përreth, e përtej të gjitha paragjykimeve me të cilat vendosin të vizitojnë për herë të parë Shqipërinë, të gjithë ata që e vizitojnë një herë, nuk ngurojnë të kthehen edhe një herë të dytë duke mos harruar të marrin me vete edhe një suvenir si kujtim nga vizita në Shqipërinë e paragjykuar.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: