TIRANË- Kreu i partisë Demokratike, Lulzim Basha një ditë pas protestës opozitare, tha para mediave se ajo ishte një mesazh i qartë nga populli për mbështetjen që ka ndaj PD dhe kauzës së saj. Gjobës së Veliajt prej 163 milionë lekësh për dëmet e shkaktuara në qytet, Basha i është përgjigjur se “do t’i dërgojë një kastravec 163 mm të gjatë”.

Për të tejkaluar krizën që ka pllakosur vendin, Basha potencoi edhe njëherë se duhet larguar qeveria ERama-Meta dhe duhen përgatitur zgjedhje të reja parlamentare.

“Dje jo vetëm ditë feste por edhe ditë marshimi për të marrë në dorë fatet e vendit nga tirania. Vërshimi i shqiptarëve në sheshin Skënderbej dhe bulevardin Dëshmorët e Kombit ishte mesazhi më i qartë i mbështetjes për PD, për kërkesën dhe zgjidhjen politike që kemi shtruar për të tejkaluar krizën e rëndë që ka pllakosur vendin, largimin e qeverisë Rama-Meta, përgatitjen e zgjedhjeve parlamentare për të implementuar dekriminalizimin”,- tha ai.

Lideri i opozitës ka ftuar qytetarët t’i bashkohen protestave, të cilat do të vijojnë. “Jeni të mirëpritur në protestën e ardhshme popullore. Mosbindja civile sa ka nisur. Protestat do të vijojnë pa pushim. Kjo qeveri fatkeqësi, përgjegjëse për vjedhje masive të tenderëve, vjedhjes së CEZ-it, por nuk pranohet të hetohet por me ligj ka krijuar imunitete. Ndërkohë që çon në burg qytetarët e varfër. Kjo dyfytyrësi nuk pranohet, durimit të shqiptarëve u ka ardhur fundit. Nuk ka rrugë tjetër përveç largimit të qeverisë Rama dhe krijimit të një qeverie teknike. Prania masive në protestë ishte një zgjim i madh i kurajës dhe lirisë qytetarët se duhet të ketë një zgjidhje për krizën që ka mbërthyer vendin. Ky uragan nuk do të ndalet. Ne do të vazhdojmë t’i prijmë stinës së protestës, do vazhdojmë të prijmë shqiptarët. Kjo është tirani e re e hajdutërisë, e padrejtësisë që i bën gjykatat e vendit nën çizmen e Edi Ramës të lirojnë sheikët dhe të japin burg për të varfrit. Këtë do ta bëjmë me një kontratë shoqërore, të majtë e të djathtë. Për një përfaqëism të denjë të qytetarëve. Shqiptarët janë të bashkuar rreth këtyre standardeve. PD dhe unë Lulzim Basha jemi të vendosur t’i prijmë kësaj. Kërkoj bashkimin e shqiptarëve edhe në protestat e ardhshme”, deklaroi Basha.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar edhe për deklaratën e ambasadës amerikane, e cila dënoi dhunën në protestën e djeshme të opozitës. Basha tha se PD distancohet nga aktet e dhunës dhe falë saj ai zemërim popullor u përmbajt.

“PD nuk distancohet sot nga aktet e dhunës, por ka qenë është dhe do të jetë e distancuar nga aktet  e dhunës. Falë PD-së, ai zemërim popullor që mund të merrte para 10 ministri u përmbajt. Përdorimi i gurëve, për të cilën shpreh keqardhje, u zmbraps nga organizatorët. Nuk u prek një fije floku e policëve, e kapelës së policit. Unë jam krenar për këtë se ky është një standardi PD-së. Institucioni është policia, jemi të vendosur t’i qëndrojmë standardit, për protesta masive demokratike të distancuara nga dhuna”, theksoi Basha .

Ai tha se prishja e bunkerit nuk është dhunë pasi ai është ilegjitim dhe është ndërtuar në kundërshtim me ligjin urban.

“Bunkeri është i paligjshëm sepse është ndërtuar në kundërshtim me ligjin urban të Shqipërisë dhe planit urban të Tiranës. Përveç kësaj është ilegjitim pasi është një provokacion i rëndë jo vetëm ndaj të përndjekurve por ndaj gjithë qytetarëve. Mirënjohje për ata që e kallën në flakë”, tha Basha.

Kreu i PD-së i është përgjigjur edhe Bashkisë për faturën e dërguar një ditë më parë me gjobë 163 mln lekë. I pyetur se a do ta paguajë këtë gjobë të kryebashkiakut Veliaj, Basha tha “Do t’i çoj një kastravec 163 mm të gjatë”.

(ma.ar/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: