Trajneri i Vllaznisë, Ernest Gjoka, pas ndeshjes së humbur kundër Kukësit ka deklaruar se gjyqtari i ‘futi duart në xhep’ skuadrës s tij. Gjithsesi në analizën e disfatës ai thekson se mungesat e penalizuan.

Sa ju penalizuan mungesat sot?

Nuk ishte vetëm Vucaj, kishim mungesa në mbrojtje dhe mesfushë. Në një ndeshje të tillë të vështirë, me Kukësin, vështirësia rritet akoma. Ndeshja ishte e fortë. Tensioni gjithashtu bën të veten.

Rasti i penalltisë për Vllazninë…

Ajo nuk ka koment. Vetëm gjyqtari mund ta komentojë atë. Është si puna e atij që fut dorën në xhep, dhe të vjedh. Sot ai i vodhi djersën, mundin, sakrificën lojtarëve të Vllaznisë. Klubi duhet të marrë masa, jo unë. Me atë penallti mund të ndryshonim lojën.

Kukësi është i njëjti, vetëm ju sot jeni në krahun tjetër…

Sezonin e kaluar Kukësi ka qenë i pari, por nuk ka pasur kështu rastesh. Kjo penallti sot, do hapte lojën.

Për shkak të arbitrimit, nuk shënuat sot?

Unë mendoj se po ta analizojmë ndeshjen, në të parën, u penalizuam në markimin e Shametit. Patëm 2 raste me Sukajn dhe nuk i shfrytëzuam. Rasti i penalltisë më pas do ndryshonte lojën. Kjo nuk do të thotë se nuk bëmë gabime. Goli i 2-0 ishte gabim i jonë, ku ishim të gjithë në sulm.

A kishit marrë masa për markin 1v1 për Shametin, apo markim zonal? Pse Ribaj dhe jo Çinarin?

Unë funksionoj me mbrojtje mikse, por pikat e forta të kundërshtarit kapen 1v1. Ai rrëshkiti, meritë e tij dhe ia doli të shënojë. Çinari ishte i ngarkuar fizikisht, dhe zgjodhëm ta lehtësonim pak.

Sukaj merr një karton të evitueshëm, humb ndeshjen me Skënderbeun. Si u ndjetë?

Kryesore ishte të ishim të qetë, duhet të mendojmë edhe për ndeshjet në fushë. Ndeshjet brenda nuk kemi më luks t’i humbim. Xhevo bëri një faull teknik ndaj portierit, janë gjëra që ndodhin në futboll.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb