NGA FATMIRA NIKOLLI*

“Pasi u diplomova, bëra shumë foto si amator ndërsa bëja kërkime për dritën, punë me të cilën jetoja. Vetëm 10 vite më parë, munda të përfitoj materialisht nga përpjekjet e mia fotografike. Brezi im erdhi në një kohë kur fotografia po avanconte me hapa të mëdhenj, duke krijuar mundësi eksperimentimi dhe duke kërkuar qasje të reja”. Fotografi shqiptaro-amerikan Gjon Mili, ka folur kështu për punën e tij në një intervistë të vitit 1977, pak vite para se të ndahej nga jeta.
Artisti që mundi të fiksonte imazhe unike të disa prej emrave më të mëdhenj të artit të kohës (dhe kohërave), përfshirë Pablo Pikason, dhe që njihet më së shumti për fotografinë stroboskopike, do të vijë në një dokumentar që do të realizohet nga Yllka Gjollesha, Suela Bako e Lorina Pepo. I titulluar “Dritë”, filmi i mbështetur nga Ambasada Amerikane, ka nisur tashmë rrugëtimin e tij në kërkim të dritës së Milit. Yllka Gjollesha, prej muajsh ka qenë entuziaste për këtë film, e tani që ai po merr jetë, në një intervistë për “GSH” tregon synimet e saj për filmin, rëndësinë e figurës së Milit, artin e tij, origjinën shqiptare e suksesin amerikan, marrëdhëniet e tij me artistët e mëdhenj dhe detaje nga jeta e tij.

– Një dokumentar për Gjon Milin. Pse?
Gjon Mili është nga ata artistë që bota e ka vlerësuar ndër vite, e në Shqipëri shumë pak e njohin atë. Dokumentari i titulluar “Dritë”, është një dokumentar i cili synon të hedhë dritë mbi Gjon Milin, por tashmë nëpërmjet gjuhës së filmit. Studiues të rëndësishëm e kanë sjellë në vëmendje jetën dhe veprën e tij me anë të shkrimeve. Qëllimi kryesor i filmit dokumentar “Dritë”, elegji për Milin, është njohja e publikut shqiptar me një figurë mjaft të rëndësishme siç është Gjon Mili.
Ai bashkëpunoi me emra të njohur botërorë si Pikaso, Sofia Loren, Henri Matiss, Hichcock, Marlon Brando, Frank Sinatra, Federico Fellini, Edgerton etj., ndërsa Jean Paul Sartri do t’i kushtonte atij një ese të veçantë. Këto dëshmojnë kontributet e tij të jashtëzakonshme në fushën e artit. Në fushën e kinemasë ai ka realizuar një film të shkurtër, “Jammin the Blues”, në të cilin është regjisor, kandiduar në OSCAR për kategorinë “Filmi më i mirë i shkurtër”, e cilësuar si vepra e parë filmike, në një improvizim të muzikës “xhaz”, ndërsa në fushën e fotografisë ai cilësohet shpikësi i fotografisë stroboskopike (fotografimi me dritë).

– Çfarë synon të sjellësh me këtë dokumentar?
Gjon Mili është një figurë mjaft e rëndësishme, figurë që vazhdon të vlerësohet në të gjitha vendet e botës e sidomos në Amerikë. Së fundmi, imazhi i çmimeve OSCAR i 2013-ës, iu referua shpikjes së tij, fotos stroboskopike. Qëllimi kryesor është ta sjellim atë dhe veprën e tij në vëmendje edhe te publiku shqiptar, pasi figura e tij përmendet shumë pak, si në tekste, ashtu edhe në imazhe.

– Sa personazhe do flasin për Gjon Milin?
Dokumentari në rrugëtimin e tij do të ketë një personazh-aktor, i cili nuk do të jetë i lexueshëm krejtësisht. Dokumentari do të ketë gjithashtu disa personazhe femra, me të cilat do të improvizojmë realizimin e disa prej fotove më të rëndësishme, ku qëllimi kryesor është të zbërthejmë se si Mili përdorte në fotot e tij DRITËN, përdorimi i së cilës, së bashku me evidentimin e lëvizjes, janë dhe pikat më të forta me të cilat Mili iu qas botës së madhe mediatike njujorkeze. Ndër këta personazhe do të zërë një vend të rëndësishëm edhe macja e tij e zezë; si për ironi të fatit, në krah të një fotografi të suksesshëm e plot fat në jetën e tij profesionale qëndron një mace e zezë… Do të kemi dhe situata biografike të improvizuara. Ata të cilët do të flasin për figurën e Milit janë personazhe mjaft të njohur në fushën e fotografisë, ndër të cilët do të përmendja John Loengard, një fotograf mjaft i rëndësishëm në Nju-Jork, njëkohësisht bashkëkohës i Milit. Personazhe të tjerë të rëndësishëm dhe gjithashtu njohës të Milit, persona të cilët e kanë takuar atë dhe janë ndikuar nga leksionet që Gjon Mili ishte gjithmonë i predispozuar t’i ndante me të rinjtë fotografë të asaj kohe në Amerikë, e që sot janë figura të njohura dhe e kujtojnë si gjënë më të vlefshme fjalën e tij. Studiues, gazetarë në SHBA ,të cilët do të bëhen pjesë, duke dhënë fakte mbi jetën e tij. Xhirimet në Nju-Jork do të shërbejnë si një investigim mbi jetën dhe veprën e tij. Personazhe të rëndësishme do të jenë pjesë e filmit-dokumentar “Dritë” edhe në Shqipëri, si Qerim Vrioni, studiues i fotografisë dhe veçanërisht i veprës së Milit, për të cilin ka botuar një sërë artikujsh të vlerësuar e që ka qenë një bashkëpunëtor i vyer për mua, si edhe studiuesi i njohur i artit, prof. Gëzim Qëndro. Një pjesë e rëndësishme janë edhe stafi realizues i filmit-dokumentar, gazetarja Lorina Pepo, regjia dhe skenari Suela Bako dhe Yllka Gjollesha. Është me rëndësi mbështetja që Ambasada Amerikane i ka dhënë këtij projekti. Filmi-dokumentar do të jetë një prodhim i shtëpisë filmike “Kinostudio Dardan”, e cila tashmë është pjesë e shumë realizimeve kinematografike ne Shqipëri dhe jashtë saj.

– Çfarë ju kanë rrëfyer për Milin njerëzit që e kanë njohur ose studiuar?
Ne jemi në periudhë studimi (research), kemi akoma një pjesë të rëndësishme të personazheve të njohur për të intervistuar. Fakti që unë zgjodha të trajtoj figurën e tij, është pa diskutim magjia që ka ai në foto, ku secila prej tyre lëviz dhe të tregon se brenda tyre ka jetë. E nëse në foton e tij shprehet qartë kjo ndjesi, atëherë jeta e Gjon Milit është pa diskutim mjaft interesante. Do të doja të citoja një pjesë nga Jean-Paul Sartri: “Mili nuk fyen; ai pëlqen çdo gjë: të ngrënët, të pirët, vallëzimin. Harlemin e njeh më mirë se çdo i bardhë, Nju-Jorkun, më mirë se kushdo tjetër. Ai është njeri i lumtur. Të vret – më keq akoma, kërkon të të robërojë…. Mili të mban në kurth të gjallë, në fotografinë e tij, dhe ti vazhdon të luftosh me veten, si peshku në rrjetë. Mili është njeri i kurtheve. Ai është plot marifete e lëvizje mashtruese që të çarmatosin; çdo fotografi e tij është provë, përpjekje”.

– Në foto ne shohim një linjë drite së cilës i duhet një proces për t’u realizuar. Ju, si do e sillni këtë në dokumentar?
Siç e thashë edhe pak më parë, drita dhe lëvizja janë pikat më të forta të fotografisë se Milit. Në dokumentarin tonë, drita, ashtu sikurse përfaqëson edhe titullin “Dritë”, do të jetë shoqëruese përgjatë gjithë kohës. Drita si një element jo vetëm për të zbërthyer teknikën e tij në realizim, por edhe faktin se si Mili përpiqej të zbërthente personazhet e tij duke iu dhënë atyre një imazh krejt tjetër nga fotografë të tjerë, duke iu dhënë DRITË në atë pjesë që është më njerëzorja. Ai dinte të zgjidhte momentin e duhur.

– Ne e kemi mit Gjon Millin. Por, sa ndikim shqiptar ka fotografia e tij? Sa e ndjente ai origjinën?
Deri tani nuk kam arritur të zbuloj ndikime nga Shqipëria në veprat e tij; ajo që të tërheq tek ai është gjenialiteti. Ka shumë detaje në jetën e tij që e lidhin me Shqipërinë: miqësia dhe rëndësia që pati ndikimi i Konicës në formimin e tij, Gjon Mili ishte pjesë e shoqatës “Vatra” në USA; është me shumë rëndësi fakti që Gjon Mili nuk ndryshon kurrë emrin Gjon, duke jetuar në një vend si Amerika. E të gjitha këto të bëjnë në fund të mendosh që ky talent vinte nga Shqipëria.

– Meqë duket qartë se femra ka qenë një subjekt i fotografive të tij dhe ju jeni tri femra që po punoni për një dokumentar për Milin, si po e sillni ju femrën përmes syve të tij?
Mendoj se figurën e Gjon Milit, më shumë sesa një femër nuk mund ta zbërthente askush. Vetëm një femër mund ta kuptojë delikatesën e tij. Duket qartë që edhe frymëzimi për të ka qenë femra.

 

(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb