TIRANË- Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha ka dalë sot para mediave ku ka falënderuar gratë dhe vajzat që morën pjesë në Konventë një ditë më parë.
Ajo tha se ndihet e prekur nga vendosmëria e tyre për t’i bërë ballë një situate që është krijuar në familjet shqiptare. Ajo tha se buxheti i 2018 rrënon më shumë ekonominë në familjet shqiptare.
“Jam sot përpara jush për të falenderuar nga zemra të gjitha ato gra dhe vajza të mrekullueshme të Lëvizjes së Gruas për Integrim, që morën pjesë në Konventën e djeshme. Realisht ne do të kishim dashur që ti falenderonim ballë për ballë mbi 3000 zonja që udhëtuan nga e gjithë Shqipëria për të qenë pjesë e asaj Konvente të jashtëzakonshme që u organizua dje në Pallatin e Kongreseve. Jam shumë e prekur jo vetëm nga prezenca e tyre, por edhe nga vendosmëria e tyre për ti bërë ballë një situate jo normale që është krijuar për familjet shqiptare. Kërkon shumë kurajo nga ana e tyre, të rrezikojnë vendet e punës, të rrezikojnë bukën e gojës të fëmijëve të tyre për të ngritur zërin kundër një realiteti të hidhur me të cilin ne të gjithë po përballemi sot”, deklaroi Gjosha.
Ajo tha se askush më mirë se sa gratë do të mund t’i bënin ballë këtij presioni politik, që sipas tij është aq sa psikologjik, aq sa edhe i pamoralshëm.
“Kishte shumë arsye që ajo sallë ishte e mbushur plot dje. E para sepse duhet t’i jepet fund lidhjeve të politikës me krimin dhe e dyta sepse situata financiare është kthyer në një dhimbje të madhe për çdo familje shqiptare. Shpresa e fundit që mund të mbahej te buxheti i vitit të ardhshëm, i vitit 2018, fatkeqësisht edhe ky buxhet rrënon akoma më shumë situatën në familjet tona. Është një buxhet që i shtyn të varfrit drejt varfërisë më ekstreme dhe po detyron shtresën e mesme, por edhe rininë e këtij kombi që të largohet nga Shqipëria. Dua t’i siguroj të gjitha gratë dhe vajzat që ky është vetëm fillimi i marshimit tonë drejt ndryshimit, dhe unë kam bindjen se së bashku jo vetëm do të punojmë për një Shqipëri më të mirë, por duke filluar nga sot nuk do të ndalemi më derisa politika të ndahet plotësisht nga krimi dhe ne tja kthejmë Shqipërinë tonë të dashur fëmijëve tanë sepse e ardhmja i takon vetëm atyre”, theksoi Gjosha.
(m.k/BalkanWeb)