TIRANE-Përgjegjësi e Luan Shabanit, por edhe dyshime për një komplot nga ana e shtetit grek. Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, ka sqaruar gjithçka në një prononcim për median. Ai deklaron se ish-peshëngritësi ka qenë zyrtarisht trajneri i Kombëtares sonë, por që në fakt ai e mbulon këtë pozicion edhe te përfaqë- suesja helene. Sportistët e dy shteteve janë stërvitur në një Qendër Olimpike për afro gjashtë muaj dhe për kreun e federatës është shumë e çuditshme që të gjithë sportistët shqiptarë dolën pozitivë, ndërsa asnjë prej grekëve nuk doli. “Luan Shabani është trajneri i Kombëtares shqiptare të peshëngritjes, për çka kemi një kontratë. E kam takuar personalisht dhe më ka garantuar se sportistët janë të pafajshëm. Nuk e di se sa e vërtetë është, por unë kam nevojë të di gjithçka dhe këtë garanci nuk dua ta shpërdoroj”, u shpreh Gjoza. Në fakt, kontrata e firmosur me Shabanin është zbuluar vetëm pas skandalit të dopingut, duke qenë se në Botërorin e Kazakistanit, sportistët u shoqëruan nga të tjerë trajnerë. Saktësisht, Daniel Godelli kishte trajner Sokol Bishanakun, ndërsa Romela Begaj kishte Gazmen Haksanin.

“Në marrëveshjen që kishim me të, përfshihej stërvitja në Qendër Olimpike të Greqisë, situata shëndetësore apo edhe përgjegjësia që do të mbahej nga vetë Luani për ecurinë dhe pastërtinë e këtyre sportistëve. Ne jemi munduar që të krijojmë mundësitë më të mira të mundshme për kampionët tanë, para një kompeticioni të rëndësishëm”, shtoi presidenti i Federatës Shqiptare. Lajmi, sipas të cilit peshëngritësit që morën medalje në Kazakistan dolën pozitivë, tronditi të gjithë opinionin sportiv shqiptar, si dhe atë ndërkombëtar. Në fakt, përveç dyshimeve dhe përgjegjësive që ngarkon mbi Luan Shabanin, Elez Gjoza nuk i kursen mundësitë për një komplot nga ana e një shteti tjetër dhe saktë- sisht atij grek. “I kam thënë tekstualisht:

E para, kontrollohen 3 sportistë grekë nën kujdesin tonë dhe nuk dalin pozitivë, kontrollohen 3 sportistë shqiptarë dhe dalin pozitivë. Kush është ai shtet që ka interes që të na dëmtojë neve, siç janë dëmtuar edhe shumë shtete të tjera? Për mua, i dashur trajner, vendi që do të ishte xheloz për Shqipërinë është Greqia dhe këtë do t’ia lëmë së ardhmes. Mbase nuk do që të flasim, por do të flasësh ti vetë, të prononcohesh dhe më pas do të flasë edhe federata”, përfundoi deklaratën Elez Gjoza. Në fakt, kombëtarja helene ka bërë një paraqitje zhgënjyese në Botëror dhe sportisti i tyre më i mirë u pozicionua në vendin e 12-të. Peshëngritësit kuqezinj duhet të presin përgjigjet e testit B, të cilat do të zbulohen pas dy javësh. Edhe pse ka ndodhur shumë rrallë, për të mos thënë kurrë, që testi i dytë ka rrëzuar atë të parin, është ende për t’u sqaruar se si është e mundur që kampionët tanë përdorën substanca dopuese dhe, mbi të gjitha, të zbulohet se cilët janë përgjegjësit për këtë skandal.
(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb