MAQEDONI- Me 9 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, propozim-ligji për gjuhët kaloi në komisionin për çështje evropiane. Kur Antonio Milloshovski i VMRO DPMNE-së po mundohej që të zgjaste debatin duke kërkuar fjalë procedurale, anëtarët e komisionit u bënë bashkë për të votuar. Shumica parlamentare dhe BESA, votuan pro, duke miratuar konkluzionin se ligji është i pranueshëm.

Paraprakisht, sikur gjatë gjithë debatit, anëtarët e VMRO DPMNE vazhduan të kundërshtojnë këtë propozim ligj duke thënë se është antikushtetues.

“Ligjin të cilin e keni paraparë, nuk është jo kushtetues, por ligji të cilin e propozoni e përqesh Kushtetutën e RM-së dhe Marrëveshjen e Ohrit. Këtë gjë e bëni me anë të procedurës së shkurtuar duke përdorur shenjë evropiane”, tha Ilija Dimovski, VMRO-DPMNE, raporton RTV21.

Atmosfera u ndez akoma më shumë, kur deputeti i LSDM-së, fajësoi VMRO DPMNE-në se ata po ndikohen nga urrejtja që kanë ndaj shqiptarëve.

“VMRO-DPMNE çdoherë ka qenë e disponuar kundër shqiptarëve ose albanofobi”, tha Tomisllav Tuntev, LSDM.

Nga partia e Besës, ndonëse votuan pro këtij propozim ligji, ata megjithatë thonë se ky ligj nuk e zyrtarizon gjuhën shqipe.

Por Ejup Halimi i BDI-së thotë se ligji për përdorimin e gjuhëve përmbush pjesën legjislative të Marrëveshjes së Ohrit.

Propozim ligji për gjuhët do të shpaloset me 13 shtator para deputetëve në seancën plenare. Më pas propozim ligji sërish kthehet në komisionin për çështje evropiane për amendamente. Pas tre ditëve kryetari i komisionit Artan Grubi duhet të dërgon propozim ligjin në seancë plenare ku edhe duhet të votohet.

Propozim-ligji i ri për përdorimin e gjuhëve avancon përdorimin e gjuhës shqipe në nivel lokal dhe qendror, duke rregulluar paralelisht parimet, mënyrën dhe përgjegjësinë e institucioneve për të siguruar përdorimin zyrtar të gjuhës që flasin së paku 20% e qytetarëve dhe shkrimin e tij kundrejt të drejtës së qytetarëve për ta përdorur dhe për ta zbatuar atë gjuhë në procedurat zyrtare.
(i.ç/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb