TIRANE- Gjykata e Apelit jep pafajësi për Shpëtim Gjikën. Apeli ka hedhur kështu poshtë kërkesën e Prokurorisë për shpalljen fajtor të kryebashkiakut të Vlorës, i cili akuzohej për “falsifikim të dokumenteve”, per dy lejet ndërtimi të dhëna për dy pallate në Vlorë. Gjykata e Apelit ka dhënë pafajësi edhe për Eleni Dardhaj, Blerdi Liçaj dhe për Gentjan Sherifaj. Organi i akuzës ankimoi në Apel vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila shpalli të pafajshëm Shpëtim Gjikën.

Por Gjykata e Apelit në Tiranë ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke rrëzuar kështu Prokurorinë.
Pas daljes nga Gjykata, Gjika tha për mediat se kishte besim tek drejtësia dhe e dinte se do të shpallej i pafajshëm. I pyetur për një rikandidim të mundshëm për Bashkinë e Vlorës, Gjika tha se është ende herët për këtë gjë, ndërkohë që do të vijojë detyrën e tij. “E prisja këtë vendim, isha i bindur në pafajësinë time. Do të jem në krye të detyrës deri në fund të mandatit. S’është dita të flas nëse do të rikandidoj për kryebashkiak”, tha Gjika. Prokuroria e Vlorës, pretendoi se vendimi i dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë ishte i pabazuar në ligj dhe i kërkoi Apelit të Tiranës shqyrtimin e provave që sipas saj bëjnë fajtor Gjikën dhe dënimin e tij me 4 vjet burg. Edhe punonjësja e Bashkisë së Vlorës Eleni Dardhaj akuzohej për veprën penale “falsifikim i dokumenteve”, të personit që e ka për detyrë, kryer në bashkëpunim, dy herë. Ndërsa Blerdi Liçaj dhe Gentian Sherifaj, akuzoheshin për veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve”­. Në vendimin e argumentuar të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, gjyqtari Arben Micko shprehej se prokuroria nuk arriti ta bindë gjykatën dhe të provojë akuzën e ngritur ndaj të pandehurve. “Gjatë gjykimit nga akuza nuk u paraqit asnjë provë e drejtpërdrejtë që të vërtetonte faktin se në procesverbalet e mbledhjeve të KRRT­së, të datave 24.03.2010 dhe 15.07.2010 janë bërë shtesa nga të pandehurit Shpëtim Gjika dhe Eleni Dardha”, thuhej në vendim. Sipas gjykatës, në të dyja procesverbalet e mbledhjes së KRRT­së rezulton të jenë nënshkruar në fund jo vetëm nga të pandehurit Shpëtim Gjika dhe Eleni Dardha, por nga të gjithë të pranishmit në mbledhje, anëtarë të KRRT-­së. “Nuk mund të konkludohet se procesverbali është falsifikuar nisur nga fakti se në pasqyrimin e vendimit për dhënien e lejeve të dy pallateve, largësia midis rreshtave të shkrimit është më e vogël se në krahasim me rreshtat e tjerë të shkrimit të të njëjtin procesverbal”, argumentonte gjykata. Po sipas gjykatës, akt­ekspertimet e paraqitura nga akuza nuk vërtetojnë falsifikimin, faktin se “shtesat” në fund të protokollit të jenë kryer në një kohë të mëvonshme nga data e mbledhjeve të KRRT-­së.       (m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: