NGA: ORNELA MANJANI
TIRANE- Gjykata Kushtetuesja rrëzoi sot nenin, sipas të cilit pronat e pa kthyera të kalonin në fondin e kompensimit fizik, duke u dhënë të drejtë pronarëve të marrin tokën e tyre edhe në rastet kur kanë marrë një shumë të caktuar si kompensim. Ndërkohë që kërkesa e pronarëve për rrëzimin e vlerësimit sipas zërit kadastral të vitit 1945 nuk është pranuar.

Drejtoresha e Agjencisë së Trajtimit të Pronave Sonila Qato shpjegoi se formula për e ligjit të pronave mbetet në fuqi dhe se ATP-ja do të vijojë punën me rrjedhën e ligjit ashtu siç është miratuar. Ndërkohë, deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi theksoi se Kushtetuesja shfuqizoi nenet përkatëse.

NJOFTIM I PLOTE
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, sot, në datën 09.11.2016, shqyrtoi kërkesat në çështjen me palë:

Kërkues: Presidenti i Republikës, një Grup Deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë, jo më pak se 1/5 e anëtarëve të Kuvendit, Avokati i Popullit, Partia Republikane e Shqipërisë, Shoqata “Pronësi me Drejtësi”, Shoqata “Krahina Jonë”, Shoqata “Bregdeti”, Shoqata e Pronarëve Legjitimë “Shqiptarët”.

Subjekte të Interesuara: Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli i Ministrave, Agjensia e Trajtimit të Pronave.
Objekti: Shfuqizimi, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, i ligjit nr.133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”.

Pasi u analizuan pretendimet e ngritura nga kërkuesit, si dhe prapësimet e paraqitura nga subjektet e interesuara, Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli i Ministrave, Agjensia e Trajtimit të Pronave, bazuar në nenin 131 dhe 134 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë si dhe në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”:

VENDOSI:
– Pranimin pjesërisht të kërkesës.
– Shfuqizimin si antikushtetues të nenit 6 pika 3 dhe pika 5 të ligjit nr.133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”.
– Refuzimin e kërkesës për shfuqizimin e nenit 6 pika 1 shkronja “ b” dhe nenit 7 pika 2 shkronja “a” dhe “b” të ligjit të mësipërm.
– Rrëzimin e kërkesës për pjesën tjetër.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: