Vendimi nga gjykata në Francë për ekstradimin në Serbi apo lirimin e kreut të AAK-së Ramush Haradinaj do të jepet më 2 mars. Gjykata e Colmarit ka vendosur të shtyjë vendimin ndaj kreut te AAK-së.

“Gjykata sot nuk ka marrë vendim. Vendimi do të jepet më 2 mars. Kërkesa për ekstradimin tim e kërkuar nga ana e Serbisë është e padrejtë, pasi nuk kam kryer krime lufte”- ka thënë Haradinaj, pas përfundimit të seancës gjyqësore.

Në Colmar të Francës u zhvillua gjyqi ndaj kreut të AAK-së Ramush Haradinaj, i cili u arrestua muajin e kaluar nga autoritetet franceze pas një urdhri ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia në vitin 2004.

Trupi gjykues e ka pyetur liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nëse do të pranonte të ekstradohej në Serbi në bazë të kërkesës së këtij shteti, por kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka refuzuar një gjë të tillë.

Ish kryeministri i Kosovës, Haradinaj ka thënë se rasti ndaj tij është plotësisht politik dhe ai duhet të lirohet.

Në seancën e sotme gjykata franceze do të vendosë nëse Ramush Haradinaj do të ekstradohet në Serbi apo do të lirohet përfundimisht nga fletëarrestet e Beogradit.

Dy ditë më parë avokati i Haradinajt, Aranit Koçi, theksoi se kërkesa e Serbisë për ekstradimin e Haradinajt është politike dhe se ai do të kthehet në Kosovë.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb