TIRANË- Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti hodhi poshtë akuzuat e deputetit Ben Blushi se zgjedhjet për anëtarësinë e PS-së ishin të trukuara. E ftuar në studion e lajmeve në News 24, Gjylameti foli për një proces dhe garë shumë të hapur.

“Para se të zhvillohej procesi i zgjedhjeve ka pasur fushatë, ka nisur që në korrik deri më 31 dhjetor, ku vazhdoi më shtimin e anëtarëve të rinj. Në janar janë zgjedhur anëtarët e organizatave që zgjedhin kush do jetë kryetar i organizatave. Janë anëtarët dhe kryetarët që përcaktojnë kandidatët për delegatë. Pastaj vjen verifikimi i kuotave pra 50% gra dhe përfaqësimi i të rinjve. Përcaktohen listat duke parë edhe pastërtinë e figurave”.

Duke u ndalur tek kritikat e Blushit për mungesën e listave, Gjylameti theksoi se në këto raste është mbajtur procesverbal dhe janë lejuar të votojnë.

“Procesi ka qenë shumë i hapur. Në dijeninë time nuk ka pasur asnjë lloj kontestimi. Kur ne shikojmë që dikush nuk ka emrin në listë mbahet procesverbal dhe lejohet të votojë. Më vjen shumë keq që dikush tenton të bëjë me baltë një proces kaq demokratik. Askush nuk ndalon përfaqësuesit e zgjedhur nga populli të marrë pjesë. Nuk di të ketë kontestime nga Leskaj e Toci, gjithkush ftohet të marrë pjesë, askush nuk është ndalur”,- tha ajo.

Ndërsa duke shtuar se çfarë mund të përmirësohet, Gjylameti shtoi: “Duhet ta kishim ndërmarrë më parë këtë proces, ka vend për përmirësime edhe në kongresin e 19 marsit, vend për përmirësime në fazën e debatit të brendshëm. Por ka shumë pak për tu thënë jashtë PS. Atje duhet ta ngremë zërin për gjërat që nuk shkojmë”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: