TIRANE– Është zhvilluar sot seanca e radhës në Gjykatën e Lartë në ngarkim të deputetit Armando Prenga i akuzuar për plagosje me armë, ndërsa kanë dëshmuar para trupit gjykues 3 anëtarët e familjes së dëmtuar Cali, konkretisht Gjol, Julian e Dorian Cali.

Vetë deputeti nuk ishte i pranishëm në seancë, ndërsa Gjok Cali u shpreh para trupit gjykues se i qëndron akuzës për deputetin Armando Prenga.

“I qëndroj akuzës për Armando Prengën, pasi ai na ka kërcënuar me armë zjarri. Prenga më goditi me qytën e pistoletës në kokë”,- ka thënë para trupit gjykues Gjok Cali.

Ndërkohë avokati i deputetit Prenga tha se klienti i tij është i pafajshëm, ndërsa sa i përket kërkesës për heqjen e mandatit në kuadër të dekriminalizimit, Baftjar Rusi tha se nuk është njohur ende zyrtarisht me kërkesën e Prokurorisë.

“Armando Prenga është i pafajshëm. Ai qëlloi në ajër për t’u vetëmbrojtur, pasi Calët e kërcënuan me thikë. Prenga nuk ka plagosur askënd”, – tha avokati.

Deputeti Armando Prenga, i përjashtuar nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste akuzohet për plagosje të rëndë, kanosje dhe armë mbajtje pa leje në lidhje me konfliktin me anëtarët e fisit Cali për lagunën e Patokut.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb