Dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda u zhvillua seanca gjyqësore në ngarkim të të pandehurit Ergys Kolaverit. Ky i fundit është i dyshuar si autor i atentatit me snajper në burgun e Vaqarit ndaj Gazmir Dacit, të cilin e bënte përgjegjës për vrasjen e njërit vëlla dhe plagosjen rëndë të tjetrit. Ngjarja në fjalë ka ndodhur pasditen e 30 korrikut të vitit të shkuar dhe për pasojë u plagos në këmbë një shtetas kosovar, i cili ndodhej në paraburgim për dhunë në familje. Në seancën e djeshme, u lexua dëshmia e kosovarit të plagosur Lili Dule.

Leximi i deklaratës që Dule ka dhënë para oficerëve të policisë gjyqësore u lejua të lexohej nga gjykata, për shkak se ai rezulton të jetë jashtë territorit të Shqipërisë që në momentin që ka mbaruar vuajtjen e dënimit. Në deklarimet e tij, shtetasi Kosovar është shprehur se kishte dalë në ajrim si çdo ditë dhe kishte kuptuar se çfarë kishte ndodhur kur kishte parë këmbën e gjakosur. “Ndodhesha në ajrimin e burgut pasi dilja çdo ditë atje. Në një moment rashë në tokë dhe kur pashë që nga këmba po më dilte gjak. Në atë moment më dërguan në spital”, ka rrëfyer ai. I pyetur për ndonjë konflikt të mundshëm që mund të ketë pasur me ndonjë person, ai kishte pohuar se nuk kishte konflikte me askënd. Ndërsa, i pyetur në lidhje me Gazmir Dacin, nëse kishte njohje me të apo jo, Dule ishte shprehur se “Gazmir Dacin nuk e njoh fare. Nuk e dija nëse ky person ndodhej në paraburgim ose jo”.

Pasditen e 30 korrikut të 2016, i pandehuri organizoi një atentat ndaj Gazmir Dacit, i cili ndodhej në burgun e Vaqarit në pritje të gjykimit për vrasjen e Gazmir Kolaverit dhe plagosjen rëndë të Robert Kolaverit, i cili ka mbetur i paralizuar. Pas ngjarjes u bë me dije se Kolaveri i pajisur me një armë të sofistikuar snajper ishte vendosur në një distancë të largët në ambientet e jashtme të burgut dhe priti derisa Gazmir Daci doli në ajrim për të qëlluar. Pas ngjarjes ai u largua me një automjet “Mercedez Benx”. Në këtë dosje, i akuzuar për moskallëzim krimi është edhe kushëriri i tij, Enea Ceka, i cili është hetuar në gjendje të lirë. Ergys Kolaveri po përballet me akuzat e vrasjes për motive gjakmarrje mbetur ne tentativë dhe armëmbajtje pa leje./GSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: