Deklarata e kapitenit të Shqipërisë, Lorik Cana, për një largim të mundshëm nga Lacio ka tërhequr vëmendjen e klubeve anembanë Europës. Vera pritet të kthehet në një telenovelë për sa i përket së ardhmes së Canës, pasi është shtuar ndjeshëm interesimi për numrin 27 të bardhekaltërve. Një ditë më parë, mediat italiane dhe ato franceze bënin të ditur që emri i Canës është përfolur si pjesë e tratativës që çon Florian Tovin në kryeqytetin italian, me Lorikun që do të rikthehej në Marsejë. Por së fundmi dalin në skenë dy skuadra me emër në Bundesligën gjermane.

Borusia Munshengladbah dhe Verder Bremen kanë trokitur në dyert e Lacios për t’u interesuar rreth së ardhmes së 32-vjeçarit, një lajm i cili konfirmohet nga faqja e specializuar për lëvizjet në merkato ‘calciomercato. com’. Vetë futbollisti ka pranuar shpeshherë se e tërheq ideja për të luajtur në Bundesligë, dhe emrat e interesuar janë nga ata që të grishin. Për të kuptuar se e ardhmja e Lorikut është larg Lacios, mjafton të shohësh që Igli Tare po këmbëngul për mbrojtësin e Ludogorets, Razgrad Georgi Terziev.

(d.d/j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: