KOSOVE– Profesori Blerim Latifi, duke folur për këngën e re të Gold Ag “Shqiptar 2”, ka thënë se reperi Arian Agushi është njeri analfabet dhe s’di gjë për fenë e as lirinë e shprehjes.

Latifi, në emisionin Zona B të Klan Kosovës, ndër të tjera ka thënë se këngëtari në fjalë ka rënë pre e një lufte propagandistike fetare.

“Nuk mendoj asgjë për këtë djalë. Për shkak se ky është një analfabet. Ky s’e di as çka është feja, as liria e shprehjes. Kjo është pjesë e një lufte propagandistike që ka rënë edhe ky i ashtuquajtur Gold Ag”, thotë Latifi.

Sipas tij, Gold Ag është pjesë e një grupI fanatik fetar, të interpretuesve radikalë e ekstremistë të Islamit.

“Ata janë fanatikë, të cilët janë në gjendje të bëjnë gjithçka dhe të godasin gjithë ata që mendojnë ndryshe. Prandaj unë nuk pres ndonjë frenim të gjuhës së tyre”.

“E shikoj këtë fenomen në dy rrafshe. Pas rënies së komunizmit vërehet një ringjallje e fesë, sidomos në viset e Afrikës dhe Azisë. Kur është puna në rrafshin e brendshëm kosovar, aktualizimi i çështjes së fesë ka disa faktorë”.

“Konsideroj se shoqëria kosovare është duke e përjetuar një krizë. Krizë politike, krizë strukturore ekonomike, e cila shfaqet me pesimizëm. Dhe, kriza e madhe e sistemit të edukimit”, tha ai.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb