CERRIK– Pronari i një karburanti nga fshati Qyrk i njësisë administrative Mollas, Qemal Shabani 69 vjeç pretendon se ka rënë viktimë e një grabitje të dhunshme mbrëmjen e kaluar në Cërrik.

I moshuari aktualisht ndodhet i shtruar në Repartin e Kirurgjisë së Elbasanit nën kujdesin e mjekëve, dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Gjatë një interviste për gazetarin e “News24” Fatmir Popja, tregon minutat dramatike që mund t’i kishin kushtuar edhe jetën.

“Mund të ishte ora 9:30 e mbrëmjes. Sapo kisha rënë në gjumë. Pas 10 minutash troket dera. “Hape, jemi policia”- më thanë. Unë u tremba, hapa derën dhe ata më drejtuan armën. Më thanë mos lëviz, ndryshe të vramë. Ishin katër vetë të veshur me uniforma policie me maska dhe me armë. Unë tentova të kap armën e gjahut që kam me leje. Por më paralizuan. Kapa një vazo që ishte aty pranë dhe qëllova njërin në kokë. Por ai mu kundërpërgjigj duke më qëlluar me qytën e pistoletës në kokë. Nuk mundesha më. Tre më mbanin mua dhe i katërti mori kasafortën. Pastaj ikën”, thotë ai.

i plagosuri 4

Para se të hynin në banesë ata kishin shtrirë 69-vjeçarin përmbys, dhe kishin shkallmuar derën kryesore të shtëpisë që është ngjitur me karburantin.

“Pasi morën kasafortën u zhdukën. Kisha edhe dokumente të vajzës që kam në Itali, dokumentet e shtëpisë, kisha zinxhirë dhe unaza floriri. Më morën rreth 3.3 milionë lekë dhe 1500 Euro”, rrëfen Qemali.

Pas grabitjes është njoftuar policia, ndërsa i moshuari është dërguar për mjekim në Kirurgjikun e Elbasanit. Ndërkaq, policia ka konfirmuar ngjarjen dhe ka bërë me dije se po punon për identifikim dhe kapjen e autorëve.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: