TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ngre dyshime se grabitja e sotme në Rinas ka pasur bashkëpunim me policinë. Sipas tij, automjeti ku gjendeshin paratë, “Benz ML” ka qenë i mbushur përplot me kartëmonedha euro. Ai thotë se vjedhja ka ndodhur një ditë pasi shefi i komisariatit të Rinasit deklaroi se janë shtuar masat pas sulmeve terroriste në Stamboll. “Kësaj i thonë janë shtuar masat që hajdutëve të mos ju hyjë ferra në këmbë!”, thotë ish-kryeministri.

STATUSI I BERISHËS

Siguria në duart e maskave!!
Grabiten me armë nga maskat, shuma të mëdha parash në pistën e aeroportit të Rinasit.
Të dashur miq, sot në vendin më të sigurt të shtetit dhe vendit, në terminalin e aeroportit të Rinasit ka ndodhur ditën për diell, konkretisht në ora 14:30 min, një grabitje e pashembullt me armë. Tre persona të maskuar dhe të armatosur, në terminalin e jashtëm të aeroportit, kanë grabitur mjetin tip “Benz ML”, i mbushur plot e përplot me kartëmonedha euro me vlerë që arrin në shumë miliona.

Si zakonisht, pasi hajnat me maska janë larguar në drejtim të paditur, janë zgjuar nga gjumi çunat e krimit dhe janë vënë në ndjekje të autorëve të ngjarjes, ndërsa dy grupe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA-s janë nisur drejt vendngjarjes.

Pika të shumta kontrolli janë ngritur në hyrje – daljet e kryeqytetit. Kjo vjedhje që nuk mund të ndodhte kurrë pa një bashkëpunim të ngushtë me çunat e krimit vjen një ditë pasi, shefi i komisariatit të policisë së Rinasit tha se ishin shtuar masat, pas sulmeve terroriste në Stamboll. Kësaj i thonë janë shtuar masat që hajdutëve të mos ju hyjë ferra në këmbë! Shteti në duart e krimit! sb

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: