Nga Elbasani, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri e konsideroi grabitjen e djeshme të blindave me parë një “thirrje për një Shqipëri të sigurt”. Ministri u shpreh se grabitja ishte një provë për gjërat që duhen bërë urgjentisht. Tahiri gjithashtu tha se policia po bënte maksimumin për zbardhjen e ngjarjes dhe për kapjen e autorëve.

“Ngjarja e djeshme është një thirrje për një Shqipëri të sigurtë dhe provë për gjërat që duhen bërë urgjentisht. E gjithë policia është në këmbë për identifikimin e kapjen autorëve si dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes,” tha ai gjatë një bashkëbisedimi me studentët të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan.

Pjese nga deklarata e tij:

Ngjara e ndodhur dje, e cila sipas meje është dhe thirrja më e madhe mbi mënyrën si duhet bashkërisht të konceptojmë sigurinë në vend, dhe më pas dhe mbi mënyrën si duhet të konceptojmë përgjegjësitë që ka secili për të pasur një vend më të sigurt. Dhe pse jo të angazhohemi të bëjmë një Shqipëri më të mirë dhe një shtet më të fortë ku qytetarët janë më të sigurt jo duke pritur por duke bashkëpunuar e duke ndarë secili përgjegjësitë. Siç jeni në dijeni dje ndodhi një ngjarje kriminale e cila është shqetësuese për mua, për ne, besoj jo pak për shoqërinë. Por mbi të gjitha një ngjarje që na ve në provë të gjithëve për disa arsye. Sa i takon detyrës sime dhe të Policisë së Shtetit, është patjetër një ngjarje që jam shumë i bindur Policia do bëjë maksimumin për ta zbardhur menjëherë e për të vënë menjëherë para përgjegjësisë autorët e saj.

Por është një ngjarje që shërben si pasqyra më e mirë si funksionon sot në Shqipëri, në shtetin tonë, e trashëguar për më shumë se dy dekada, mungesa totale e përgjegjësisë nga cilido tjetër institucion, lidhur me përgjegjësinë që kemi për të ndërtuar më shumë siguri. Ngjarja e djeshme është shembulli më i mirë apo pasqyra më e qartë si dështojnë të gjitha hallkat paraprake që duhet të garantojnë siguri, përpara se çështja të shkojë tek Policia. U grabit një furgon që supozohej se transportonte në mënyrë të sigurt paratë e një banke. Ka disa përgjegjës. Por është e pakonceptueshme për mua që bankat të tolerojnë transportin e vlerave të mëdha monetare pa asnjë rregull sigurie. Me zero siguri. Ashtu siç është e pakonceptueshme për mua që transporti i vlerave të mëdha monetare të mbetet në fatin e disa njerëzve që punojnë  në një Polici Private duke u paguar me 18.000L (ose 180 mijë të vjetra) – dhe këta supozohet të ruajnë miliona euro.

Është e pakonceptueshme për mua si bankat dhe Policitë Private nuk marrin dhe masat më minimale që këto gjëra të mos ndodhin. Unë e kuptoj që ndoshta dhe ju që jeni studentë ndoshta keni një barrë jo të vogël (me mësime, detyra) dhe koha për të parë lajmet apo për të analizuar çështjet është e vogël. Dhe kur është për ju, mendoni sa është për qytetarët. E kuptoj që dhe ndoshta për ju pyetja më normale është: “Dakord, por Policia?”. Ne duhet të fillojmë të njohim përgjegjësitë që ka secili për të bërë siguri. Kjo ngjarje nuk do ndodhte nëse banka do merrte masat minimale për transportin e miliona eurove. Kjo ngjarje nuk do ndodhte në qoftë se policia private do të kishte masat minimale për të transpurtuar milioan euro të tilla ngjarje nuk do të ndodhnin fare në Republikën e Shqipërisë në qoftë se bankat dhe policitë private do merrnin masat minimale për të mos ndodhur të tilla ngjarje.

Kush nga ju e lë shtëpinë me dyer dhe dritare hapur dhe pastaj pret të mos vidhet. Kush nga ju pretendon që, vetë të mos marrë asnjë masë, s’ka problem, indiferencën time e paguan shteti. Kjo është një katastrofë jo e vogël, për shkak të papërgjegjshmërinë së thellë të gjithë atyre që sot janë ngarkuar me detyrën për të garantuar rrogën e vet me paratë e bankës. Unë kam pasur para disa ditësh një takim me policitë private. Ankoheshin të gjithë njëzëri se rroga e paguar në një bankë në Republikën e Shqipërisë është 200 mijë lekë të vjetra.

Cili qytetar në Republikën e Shqipërisë skllav merr 200 mijë lekë të vjetra? Unë nuk pretendoj apo presupozoj që të kthehet në një hero duke ruajtur paratë e një banke. Askush. Unë e kuptoj që të tilla ngjarje ndezin debate. Unë e kuptoj që në të tilla ngjarje ne jemi në sprovë me të gjithë. E kuptoj që në të tilla ngjarje, dukemi sikur kemi rënë. Por janë ekzaktësisht të tilla ngjarje që duhet të na bëjnë më të fortë. Dhe pikërisht atëherë kur na duket sikur kemi rënë ne duhet të ngrihemi. Atëherë kur na duket sikur jemi më të dobët ne duhet të jemi më të fortë, të gjithë bashkë.

Pikërisht atëherë kur na duket sikur gjithçka është kundër nesh ne duhet të bëhemi bashkë për të ndërtuar gjithçka të mirë në këtë vend. Policia sigurisht do marrë të gjitha masat për të gjetur përgjegjësinë, për këdo ka dështuar për detyrën në bankë apo në policinë private. Po kjo nuk mjafton. Një gjë më bëri shumë përshtypje në ngjarjen e djeshme, nga qytetarët prezentë kishte vetëm një telefonatë, të gjithë të tjerët filmonin ngjarjen për ta nxjerrë në rrjetet sociale apo për ta çuar nëpër portale, apo një telefonatë edhe kjo në fund të grabitjes. Kjo është fatale që një shoqëri të shkojë përpara, duke marrë secili përgjegjësitë e veta. Unë nuk kuptoj askënd prej qytetarëve që kanë qenë aty. Që në mes të zgjedhjes nëse do njoftonte policinë , autoritetet  apo do filmonte për të bërë gallatën e radhës nëpër portale, ka zgjedhur këtë të dytën. Unë nuk kuptoj askënd prej tyre. Unë e kuptoj që një qytetar mund të presë që shteti t’i bëjë të gjitha. Policia t’i bëjë të gjitha.

Ngjarja
Ngjarja ndodhi dje në orën 11:30, në Qafë-Kashari, pranë rrugës për në Rinas. Pesë persona të armatosur dhe të veshur me kamuflazh të zi arritën të merrnin nën kërcënimin e armëve një shumë nga 100 mijë euro deri në 2 milionë euro, por asgjë e konfirmuar zyrtarisht.

Pesë autorët pasi goditën një prej blindave, thyen me mjete të forta një prej xhamave të makinës dhe nën kërcënimin e armëve kanë marrë thasët me para. Më pas ata kanë djegur makinat e tyre pranë urës së Limuthit, afër Qafë-Kasharit.

16667245_252210541871456_1130703220_o

(e.f/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb