TIRANE- Policia e Tiranës ka arrestuar sot 6 policët privatë që po transportonin shumën e konsiderueshme të parave me një blind të “security” në rrugën e Rinasit, aty ku edhe janë grabitur paratë.

Arrestimi i 6 policëve privatë është bërë në orët e para të mëngjesit të sotëm. Ata janë Alban Sharra, Agron Ademi, Agron Lloha, Niko Prifti, Eduard Metollari dhe Artan Mane.

Këta shtetas u arrestuan sepse në Qafë Kashar-Rinas, afër kthesës së Laknasit, 5 persona të armatosur, kanë qëlluar dy herë në ajër me armë zjarri dhe kanë goditur me mjete të forta xhamin e mjetit transportues, ku kanë marrë një sasi lekësh që po transportoheshin nga eksorta e SHPSF ‘’Rogat Security 1’’.

Në afërsi të urës së Limuthit është gjetur tërësisht i djegur mjeti markës ‘’Jeep grand Cheroke’’, me të cilin autorët kishin kryer ngjarjen. Duke marrë nga kjo ekskortë një armë zjarri automatik e poseduar prej rojës së SHPSF-së Alban Sharra.

Në vendin e ngjarjes u gjet me cilësinë e provës materiale dy gëzhoja kalibër 7.65 mm, dy fishekë luftarake model 56, një predhë e dëmtuar, një fenerlinë policie, dy leva hekuri.

Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Ndërkaq mësohet se në total janë grabitur 3.5 mln euro të një banke.

NGJARJA
Rreth orës 13:00, të ditës së djeshme 5 persona ende të paidentifikuar me një mjet “Fuoristradë” i prenë rrugën një blindi të “security” që po transportonte një shumë të konsiderueshme parash në drejtim të Rinasit. Grabitja dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 13:00 në rrugën e Rinasit në zonën e quajtur kryqëzimi i Laknasit. Dy automjetet e sigurisë private, një furgon i blinduar me targa TR 46 17 L dhe automjeti tjetër shoqërues po i kësaj shoqërie fizike me targa AA 169 DF të cilat ishin duke udhëtuar në drejtim të Rinasit, ju ndërpritet rruga nga një automjet tip “Fuoristradë” me targa TR 8801E, në të cilin dyshohet se udhëtonin disa persona. Në këto momente mjetet janë ndaluar nga mjeti tip “Fuoristradë” nga e cila kanë zbritur disa persona të veshur me kamuflazh, maska dhe armë zjarri, të cilët me anë të një sendi kanë thyer xhamat e automjetit të blinduar dhe kanë zbritur me forcë punonjësit e policisë private duke i shtrirë në tokë, dhe pasi kanë marrë sasinë e lekëve janë larguar me automjetin e tyre. Dyshohet gjithashtu që këta persona të kenë gjuajtur me armë zjarri, pasi në cilësinë e provës materiale në vendngjarje janë gjetur disa gëzhoja. Personat pasi janë larguar me automjetin e tyre tip “Fuoristradë”, e kanë braktisur atë në afërsi të “City Park”, duke e djegur.

Dëshmitarët në vendngjarje thanë se 5 të rinj të veshur me rroba si ato të policëve, me një automjet tip “Fuoristradë” ngjyrë blu i kanë prerë rrugën makinës “security” e cila shoqërohej dhe nga një tjetër makinë tip “Benz”. Makina furgon tip “Fiat” ku ndodheshin paratë është detyruar nga grabitësit nën kërcënimin e armës që punonjësit e sigurisë të shtrihen përtokë me duart pas kokës. Banorët e zonës thanë për “Gazetën Shqiptare” se kanë dëgjuar dy të shtëna pistolete dhe kanë parë 4 persona që transportuan më shumë se 6 thasë me para nga makina e “security”-së në automjetin e tyre. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes policia konstatoi dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale disa gëzhoja. Automjeti në të cilin ndodheshin paratë, ka pësuar edhe dëmtime në xhamin e parë të makinës, i cili dyshohet të jetë goditur me mjete të forta nga grabitësit. Menjëherë pas grabitjes autorët kanë vazhduar rrugën për në Rinas.

Për më pak se 15 minuta Salla Operative e Policisë Tiranë ka marrë njoftimin se në afërsi të Urës së Limuthit po digjej një automjet. Makina e grabitësve u gjend e djegur rreth 3 kilometer më larg vendit të ngjarjes, në afërsi të vendit të quajtur Ura e Limuthit. Burime pranë policisë Tiranë thonë se grabitësit, të cilët janë të moshës rreth 30 vjeç, pasi kanë djegur automjetin, janë larguar me një automjet tjetër në drejtim të paditur. Mësohet se janë shoqëruar për në mjediset e Drejtorisë së Policisë Tiranë, 6 punonjësit e policisë private për tu marrë në pyetje lidhur me ngjarjen e ndodhur. Policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes si edhe kapjen e autorëve duke mobilizuar të gjithë punonjësit e policisë dhe ngritur pika kontrolli.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: