TIRANE- Pas grabitjes spektakolare që ndodhi dje në Qafë-Kashar, afër rrugës së Rinasit, ku persona ende të paidentifikuar vodhën paratë e bankës së nivelit të dytë, BKT, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka zhvilluar një takim me përfaqësues të bankave në vend.

Gjatë fjalës së tij pas përfundimit të takimit, Tahiri pohoi se raste të tilla si ngjarja e djeshme do parandalohen, ndërsa shtoi se do ketë koordinim mes policisë private dhe Policisë së Shtetit për transferimin e shumave të lekëve. Teksa theksoi se sot siguria në banka është më e lartë, ministri shtoi se ka ende punë për t’u bërë në këtë drejtim.

“Policia bashkë me bankat do të koordinohet më shumë, madje do të bashkëpunohet dhe me Policinë e Shtetit për të bërë transferimit drejt Rinasit. Sot kemi një standard sigurie në drejtim të bankave, por jemi të vetëdijshëm që ka ende punë për t’u bërë. Ne do marrim masa që edhe në Republikën e Shqipërisë të marr masa që transporti i vlerave të sigurohet nga policia private. Do marrim masa që mos të përsëritet më raste të tilla. Për ne ka rëndësi që ky proces të ketë sa më pak probleme me sigurinë.”, tha Tahiri.

Po ashtu, ai tha se për të gjitha masat që do merren, Policia e Shtetit ka bashkëpunimin e bankave. “Paralelisht po bëjmë një sërë planesh nga policia private tek detyrat e policisë që të bëjmë ç’të jetë e mundur që mos të ndodhin ngjarje të tilla. Është me rëndësi që në vendet e BE të tilla vende nuk ndodhin, pasi ato para janë të papërdorshme më. Ne do ta deinkurajojmë deri në zero të tilla ngjarje. Kemi bashkëpunim dhe mirëkuptim me bankat e nivelit të dytë. Që nga sot e tutje të tilla ngjarje mos të ndodhin më.”, përfundoi Tahiri.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb