TIRANE-Gazetari Artan Hoxha ka dhënë detaje të reja në lidhje me grabitjen e sotme në Rinas. Gjatë një lidhje me ‘News24’ Hoxha tha se dy mjetet e kompanisë private që transportonin paratë e bankës së nivelit të dytë ishin të pajisura me kamera, por ato nuk ishin të ndezura. Gjithashtu gazetari Artan Hoxha tha se sipas ligjit që ka dalë së fundmi, thasët me para që transportohen pajisen me një GPS, ndërsa në rastin konkret GPS nuk ishte vendosur tek thasët me para, por ishte ne kroskotin e makinës që i transportonte.

“Nga verifikimet e deritanishme mësohet se dy mjetet e blinduara të makinave që transportonin paratë kanë qenë të pajisura me kamera të cilat nuk kanë qenë të ndezura. Mbas grabitjes së fundit doli një urdhër që në thasët me para të vendoseshin pajisjet e GBS, por në rastin konkret GBS nuk është futur tek thasët me para, por ishte në kroskotin e makinës. Nga hetimet e deritanishme rezulton se makinat që janë përdorur nga grabitësit kanë qenë mjete të vjedhura dhe me targa false”- tha Hoxha.

Më tej gazetari Artan Hoxha tha se edhe trashësia e mjeteve të firmës private që transportonte paratë ka qënë jashtë standardit.

“Trashësia e mjeteve të blinduara që transportonin paratë e nje banke të nivelit të dytë ka qenë jashtë standardit. Mjeti i transportit është hapur me motorsharrë dhe jo me gur fresibël. Grabitësit kanë pasur informacion të saktë dhe dyshohet se janë nga 4 deri në 7 persona që kanë kryer grabitjen. Autorët janë larguar me dy mjete te tjera, ku njëri dyshohet se është një mjet luksoz dhe tjetri një furgon”- tha gazetari Artan Hoxha.

“Do ketë ndjekje penale për ta. Do shihet nëse drejtuesit e kësaj policie private deri në çfarë faze janë përgjegjës dhe punonjësi që ka bërë transfertën. Do shihet nëse banka i ka bërë të gjitha procedurat. Ndaj punonjësve të policisë private do merret masa e sigurisë në shkallën e parë, pasi ka rezultuar se armët e tyre nuk janë përdorur. Të gjitha gëzhojat janë përdorur nga autorët.”, tha Hoxha.

Nga ana tjetër Hoxha pohoi se pasi kanë djegur makinat që përdorën për grabitje, autorët janë larguar me dy mjete të tjera, në një prej të cilëve ikën vetë dhe në tjetrin paratë. “Policia është munduar që të bëjë identifikimin e personave apo grupit kriminal. Ajo I qëndron ende versionit që autorët nuk janë larguar nga vendi i ngjarjes shumë. Bëhet fjalë për një grup të strukturuar që mund të ketë lidhje dhe me persona jashtë vendit. Një informacion tjetër i minutës së fundit është fakti se automjet qe kanë lëvizur paratë e grabitjes dhe drejtuesit e këtij operacioni nuk është i njëjtë. Janë përdorur dy mjete, një ka pasur paratë, tjetri grabitësit.”, përfundoi Hoxha.
(d.d/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb