TIRANE-Gazetarët Artan Hoxha dhe Klodiana Lala ishin të ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ ku kanë dhënë detaje të reja për grabitjen e ndodhur dje në rrugën e Rinasit. Gazetarja Lala tha se 2 blindat që transferonin paratë nuk i plotësonin kushtet dhe kriteret, ndërsa grabitësit nuk kishin si synim të shkaktonin viktima. Gjithashtu Lala u shpreh se atë ditë janë kryer dhe 2 transferta të tjera parash përpara se të ndodhte grabitja dhe për këtë arsye po hetohet për të implikuar nga brenda bankës dhe kompanisë private që transferonte paratë.

“Mbahet ende sekret shuma e grabitjes. Pak para se të ndodhte grabitja kanë qenë dy transferua të tjera parash më përpara. Prokuroria po heton edhe për persona të implikuar brenda bankës apo shoqërisë private. Gjithashtu ka një mosdikordancë për njoftimin dhe kohën që është njoftuar policia. Sa i përket autorëve të grabitjes, ata janë njerëz të mirëstërvitur. Për momentin nuk ka asnjë provë nga autorët”- tha Lala.

Ndërkohë gazetari Artan Hoxha u shpreh se grupi ka qenë i mirëorganziuar dhe ka studiuar me kujdes terrenin. Gjithashtu Hoxha tha se në të 4 grabitjet e ndodhura së fundmi nuk janë grabitur e njëjta bankë, por banka të ndryshme dhe kjo rrit dyshimet se grupi mund të ketë informacione brenda bankës. Artan Hoxha tha se dy makinat e përdoruara nga autor të cilat u gjetën të djegura rezultojnë të vjedhura dhe targat e tyre korrespondojnë me dy makina në Shkodër.

“Autorët kanë qenë të mirëorganizuar, nga hetimet e deritanishme të policisë janë shoqëruar 6 persona. Grabitësit kanë pasur informacione të sakta. Në të 4 grabitjet nuk është goditur e njëjta bankë, por banka të ndryshme. Kjo bën të ketë dyshime se grupi mund të ketë informacione brenda bankës. Dyshohet se mjetet kanë ardhur nga Gjermania në Kosovë dhe më pas kanë hyrë në Shqipëri. Dy targat e mjeteve të djeshme që u dogjën ishin të dy makinave në Shkodër dhe policia ka shkuar për verifikim dhe i ka gjetur të dyja makinat të parkuara”- tha Hoxha.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb