TIRANE- “Drejtësia dhe peshqit e mëdhenj” ishte tema e sotme në emisionin ‘Të Paekspozuarit’ të gazetarit Ylli Rakipi në ‘News24’, ndërsa të ftuar ishin kryetari i Grupit Parlamentar të LSI, Luan Rama, deputeti i PD Astrit Patozi si dhe analistët Andi Bushati dhe Fatos Lubonja.

Në fillim të emisionit të ftuarit kanë folur për ngjarjen e sotme të ndodhur në rrugën e Rinasit ku u grabitën 7 thasë me para nga dy mjetet të cilat po i transportonin për llogari të një banke të nivelit të dytë. Astrit Patozi tha se qeveria është shkaktarja kryesore dhe bashkautore e këtyre grabitjeve, pasi kjo nuk është hera e parë që ndodhin grabitje të tilla dhe në të njëjtin vend. Deputeti i Partisë Demokratike tha se qeveria u ka dëshmuar qytetarëve se është e paaftë të luftojë krimin.

“Qeveria është shkaktarja në mos bashkautore në këtë çështje. Kjo do të thotë se edhe ata njerëz që kanë menduar të bëjnë biznes në Shqipëri tremben kur shohin grabitje të tilla. Jemi në një situatë krejtësisht të pazakontë e cila kërkon një shkundje të madhe. Qeveria i ka dëshmuar qytetarëve që është ose e paaftë ose bashkautore në krim. Bankat duhet të jenë sektori më i mbrojtur në vend”- tha Patozi.

Ndërkohë Luan Rama u shpreh se nuk është problemi tek grabitja, por tek mënyra si është grabitur. Ai tha se ky grup kriminal tallet me shtetin pasi grabit me të njëjtën mënyrë dhe në të njëjtin vend.

“Është në çdo logjike normale të perceptimit, por sfida është alarmante pasi ka ndodhur në të njëjtin pikë dhe orë. Është një tallje nga ky grup. Ti thua se ke sukses me kanabisin, por unë të bëj sfidën dhe ti nuk më kap dot. Kjo sjell një debat të ashpër. Duke qenë anëtar i komisionit të sigurisë kam ngritur shqetësimin për sigurinë. Është një luftë pafund mes krimit dhe shtetit. Nuk kam arsye të mendoj se kjo është një organizim mes bankave me grabitësit. Detyra është për të garantuar transportin e parave. Punonjësit e shoqërive private duhet të monitorohen dhe penalizohen nga autoritetet përkatëse. Nuk e kuptoj çfarë lloj shoqërimi ka bërë policia. Të thuash që është vjedhur 4 herë në të njëjtin vend nuk ta beson njeri. Kjo do të thotë se diçka nuk funksionon”- tha Rama.

Për analistin Fatos Lubonja grabitja në Rinas është një çështje ku minimalisht ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri duhet të japë dorëheqjen.

“Kur po vija këtu më solli një qytetar dhe më tha që është fushatë elektorale dhe u duhen atyre këto para. A është e vërtetë apo jo, këtë nuk e dimë, por ministri i brendshëm minimalisht duhet të japë dorëheqjen”- tha Lubonja.

Patozi shprehu bindjen se grabitja nuk është ‘dorë’ e shtetit. “Shifër marramendëse dhe e përsëritur kaq herë bëhet më e frikshme. Nuk besoj se kjo maxhorancë e ka marr mundimin të bëjë këtë spektakël për të marrë 2 mln euro sepse them se është e përgatitur të hedhë shifra më të frikshme për të vjedhur zgjedhjet. Unë them është pushtet i krimit që nuk kanë frikë”, tha Patozi.

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Luan Rama ‘fajësoi’ për grabitjen mosfunksionimin e sistemit.
“Ajo është zonë e mbipopulluar, zonë e supersurvejuar, ka kamera. Zonë që ka shërbime policie, permanente, aq më tepër në një rast si ky shërbimet duhet të jenë të superpërforcuara sepse ka një marrëveshje me bankat. Sistemi nuk ka funksionuar. Nuk funksionon sistemi i zinxhirit të sigurisë. Viktima është pala e vjedhur, policia kap atë që gjen aty, me atë rast policët e mbetur aty”, tha Luan Rama.

Për Patozin, policia në këto 3 vite ka rënë. “Pyetja që duhet të shtrojmë është çfarë ka ndodhur me policinë në këto 3 vite, që ka një rënie në pikiatë?”.

(d.d/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb