Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka theksuar se me gradimin e tre pjesëtarëve të komuniteti serb në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), po realizohet aspirata për një forcë multietknike dhe gjithëpërfshirëse. Ai këto komente i ka bërë në ceremoninë e gradimit të tre pjesëtarëve të komunitetit serb, në FSK, e mbajtur në Batalionin e Parë të kësaj force në Gjilan.

“Me angazhimin e vet gjatë këtyre viteve, FSK tregon së është forcë në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit. FSK ka ngritur nivelin e profesionalizmit në një shkallë më të lartë, duke kryer me profesionalizëm çdo detyrë që i është dhënë deri më tani. FSK është bërë forcë që gëzon besimin nga të gjithë qytetarët dhe institucioni që garanton stabilitetin e Kosovës”, ka shtuar Thaçi.

Thaçi tregoi se Kosova po bashkëpunon me NATO-n për transformimin e FSK-së dhe se janë në rrugë të drejtë. Ai më tutje ka shtuar se duke parë këto të arritura të FSK, është i bindur që kjo forcë është e gatshme të marrë detyra të reja dhe të kontribuoj sipas tij, për paqen dhe sigurinë edhe përtej Kosovës. Pjesë e kësaj ceremonie ka qenë edhe ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Rrustem Berisha, i cili ka thënë se ka nderin që në këtë ceremoni t’ia uroj gradimin këtyre pjesëtarëve të FSK, të cilëve iu uron sukses në karrierën e tyre, shkruan tg. Sipas tij, ceremonia e sotme dëshmon që FSK është bërë forcë e besueshme, multietnike, e hapur dhe në shërbim të të gjithëve.

“Ky angazhim dëshmon se ju si qytetarë keni bërë zgjedhjen e duhur, kur jeni përcaktuar për të shërbyer për qytetarët e Kosovës. Ne jemi të përkushtuar për integrimin e qëndrueshëm të komuniteteve në FSK, dhe jemi duke realizuar objektivat tona, jo vetme për integrim, por edhe për avancimin e strukturave të FSK. Me një qasje të tillë serioze, FSK ka përmbushur kapacitetet profesionale, dhe jemi të gatshëm që me këto kapacitete nga konsumues të sigurisë, të kthemi në ofrues të sigurisë, për të gjithë qytetarët e vendit dhe më gjerë”, ka shtuar Berisha.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: