GRAMSH- Çifti Haxhillari në fshatin Fierzë në Gramsh është dëshmia e gjallë e një varfërie ekstreme. Pa asnjë të ardhur dhe me tavanin që po ju shembet mbi kokë, ata thonë se janë gati të falin ato pak gjëra që kanë, në këmbim të një bilete udhëtimi drejt vendeve të Bashkimit Europian. Apeli i tyre për ndihmë i drejtohet kryeministrit të vendit.

Çifti Haxhillari bashkëjeton me dhimbjen dhe mjerimin që pas një tragjedie të rëndë familjare, ajo e humbjes së dy djemve të tyre 12 dhe 14 vjeç. Banesa e tyre rrezikon çdo moment shembjen me tavanin që qëndron i varur, pas tërmetit që e dëmtoi një vit më parë, ndërkohë që deklarojnë se nuk kanë përfituar asnjë dëmshpërblim.

E vetmja ndihmë ekonomike që merrnin që nga koha kur dy djemtë e tyre ishin gjallë, është ndërprerë pasi ata humbën jetën një vit e gjysmë më parë, të mbytur në një liqen aty pranë.

Mes dhimbjes së madhe e zhgënjimit për mungesën e vëmendjes së shtetit, Muharrem dhe Afërdita Haxhillari, deklarojnë se e vetmja shpresë u ka mbetur emigrimi, një rrugë që nuk mund ta ndërmarrin për shkak të mungesës së të ardhurave

Sikur të mos mjaftonte, prej më shumë se dy javësh, çifti jeton në terr të plotë pas ndërprerjes së energjisë elektrike, për shkak të mos shlyerjes së faturave për muajt shkurt e mars

E vetmja përfaqësuese e zyrës e zyrës së ndihmës ekonomike, në komunën Fierzë,  Emirelta Kotorri, tenton të shpjegojë procedurat, por edhe kësaj të fundit i mungon energjia në të ashtuquajturën zyrë.

Sipas saj ka një sistem online, të aplikimeve, por a e njohin vallë këta dy të moshuar të kapluar nga dëshpërimi këtë procedurë.

Përveç strehës që rrezikon të shembet nga çasti në çast, çifti Haxhillari lufton çdo ditë me urinë, e nuk shohin më asnjë të ardhme në zonën ku jetojnë prej vitesh.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: