Kompania Bankers Petroleum dhe bashkitë Roskovec e Patos po bashkëpunojnë për të mundësuar përfitimin e sa më shumë fondeve financiare nga fermerët e zonës së Patos-Marinzës. Qeveria ka çelur tashmë grante për bujqësinë përmes AZHBR por fermerët nuk i aksesojnë dot këto fonde sepse nuk kanë njohuri të mjaftueshme si të ndërtojnë një projekt apo plan biznesi.

Në këtë kuadër në bashkitë Roskovec dhe Patos u organizuan takime të ndryshme me fermerë të zonës, në dispozicion të të cilëve do të jetë organizata e konsulencës CBS, për t’i ndihmuar ata në hartimin e projekteve që të mund të përfitojnë nga fondet e AZHBR.

“Ekspertiza dhe asistenca teknike për fermerët do të kryhet nga CBS, e cila tashmë ka hapur edhe një zyrë në rajonin e Fierit për të lehtësuar aksesin në shërbime. Asistenca në aplikim përfshin projektin arkitekturor dhe inxhinierik, planin e biznesit dhe sistemimin e të gjithë dokumentacionit të aplikimit në përputhje me kushtet dhe kriteret e legjislacionit shqiptar.
I gjithë procesi i asistencës mundësohet nga Bankers Petroleum, kompani e cila ka gjithnjë në fokus të aktivitetit të saj mirëqeninien dhe zhvillimin e banorëve të zonave ku operon”, tha Majlinda Bufi, Kryetare e Bashkisë Roskovec.

“I gjithë rajoni i Patos-Marinzës numëron rreth 300 fermerë, të cilët kanë investuar në ngritjen e serave për prodhimin e perimeve dhe frutave. Përfitimi I fondeve dhe granteve të ndryshme do të mundësonte fuqizimin e bizneseve të tyre të vogla nga ku do të mund të përfitojnë rreth 22 mijë familje të të gjithë zonës”, deklaroi Adriatik Golemi, Menaxher i Marrëdhënieve me Komunitetin, Bankers Petroleum.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb