Greqia feston sot pavarësinë kombëtare nga sundimi turk, e njohur ndryshe dhe si Revolucioni grek që filloi më 25 Mars 1821. Kremtime të shumta janë kryer në të gjithë vendin, ndërsa me sukses ka përfunduar parada e mbarë forcave ushtarake të Greqisë në sheshin qendror të Athinës, para Parlamentit grek.

Paradën e ndoqën sipas traditës, Presidenti i Greqisë Prokopis Pavlopulos, mbarë skena politike e vendit, gjeneralët e lartë të vendit, diplomatë të huaj, si dhe populli i thjeshtë.

Sivjet fjalimet e mbarë përfaqësuesve të shtetit grek kanë patur një simbolikë të veçantë, pas provokimeve dhe episodeve me fqinjët turq, duke dhënë një mesazh të hapur mbështetje për dy oficerët grekë që po hetohen në Turqi.

Në fjalën e tij Presidenti Pavlopulos theksoi se “Greqia është një popull i paqes, miqësisë dhe demokracisë, ideale që bazohen në respektimin e plotë të drejtësisë europiane dhe ndërkombëtare nga të gjitha palët. Jemi dhe popull që historikisht mbrojmë, pa ulje, lirinë, kufijtë, territorin dhe sovranitetin e Greqisë dhe të familjes sonë europiane”.

Ministri i Mbrojtjes Kamenos ka dërguar nje mesazh të fuqishëm bashkimi popullit grek për Turqinë, duke theksuar se ushtria greke është gati të përgjigjet në çdo sfidë kërcënimi të sovranitetit e integritetit territorial, për mbrojtjen e paqes në vend.

Greqia sot feston edhe ditën e shenjtë të Ungjillëzimit të Hyjilindëses si një vend ortodoks.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb