Infiltrimi i disa xhihadistëve në fluksin e imigrantëve nuk justifikon mbylljen e kufijve, konfirmoi sot Nikos Toskas, zëvendësministri i Brendshëm grek, në një intervistë për AFP-në.

“Duhet ta zgjidhim problemin atje, në zonat e luftës, ku është shkaktuar dhe largimi i njerëzve”, theksoi Toskas, vendi i të cilit është porta kryesore e hyrjes së imigrantëve në Evropë. Të paktën dy kamikazë të atentateve në Paris kanë kaluar nga një ishull grek.

Disa vende si Franca kërkojnë kufizimin e numrit të imigrantëve që mbërrijnë në Evropë, ndërkohë që vende të tjera mbështesin një filtrim, siç është rasti i Serbisë apo Sllovenisë, që lejojnë vetëm sirianët, irakianët apo afganët të kalojnë në territorin e tyre.

“Ne jemi kundër barrierave dhe mbylljes së kufijve”, nënvizoi Toskas duke përmendur paralajmërimin e fundit të Komisionerit të Lartë të OKB-së për refugjatët kundër një paralelizmi mes imigrantëve dhe terrorizmit.

“Nuk duhet të harrojmë aspektin humanitar të imigrantëve në emër të terrorizmit”, theksoi ai.

(g.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb