Greqia mbështet gjithë aktivitetin në UNESCO lidhur me mbrojtjen e trashëgimisë dhe në këtë kontekst, mbështet Serbinë në aktivitetin e saj në rimëkëmbjen e trashëgimisë kulturore.

“Në këtë kuptim jemi të interesuar për bashkëpunim në nivel ekspertësh në rimëkëmbjen e trashëgimisë kulturore dhe në mbrojtjen e saj”- deklaroi në një intervistë për “Politika”, ministrja greke për Kulturë, Lidia Konjord, e cila ishte për vizitë në Beograd, transmeton RTK.

Ministrja greke shtoi se Serbia mund të llogarisë si ndihmë të UNESCO që ta mbrojë Kosovën si pjesë serbe, sidomos lidhur me objektet kulturore që ndodhen atje të cilat sipas gazetës ‘Politika’ janë rrënuar vitet e fundit.

“Të bashkuar jemi më të fortë e më të kulturuar”- citohet të ketë thënë ministrja greke e Kulturës, Lidia Konjord.

Ministrja Konjord, veç tjerash, shtoi se kishte biseduar me homologun e saj, Vlladan Vukosavlevic, lidhur me vazhdimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit në kuadër të bashkëpunimit të vendeve të Evropës Juglindore.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: