Sulmi ndaj Ernest Gjokës ka tronditur futbollin shqiptar dje. Por, më shumë se gjithkush nga kjo ngjarje, sigurisht që është tronditur familja e tij, e cila jeton në kryeqytet. Ata kanë mbetur të tmerruar nga ky agresion dhe këtë e thotë vetë bashkëshortja e trajnerit në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”

Edit Lako ka parandierë gjithçka me një ëndërr dhe falënderon Zotin që lajmin nuk e mori vesh nga mediat, ku dominonin titujt: “Sulmohet me thikë trajneri i Vllaznisë”. Ajo është mbështetësja më e madhe e Gjokës, megjithatë zbulon se ia ka kërkuar që të kthehet menjëherë në shtëpi.

Pjese nga intervista

Zonja Edit, si e morët vesh lajmin për sulmin ndaj bashkëshortit tuaj?
Po flija në fakt dhe u zgjova nga një ëndërr të tmerrshme. Menjëherë mora Nestin në telefon, por më doli i zënë. U çudita realisht, pasi e di që është një situatë jo e mirë atje me njerëzit, me gazetarët. Kjo gjë më tensionoi dhe vazhdova të insistoja derisa e arrita. Zëri nuk m’u duk normal dhe aty më shpjegoi gjithçka kishte ndodhur. Në atë kohë ishte në polici. Për fat nuk e mora vesh lajmin nga mediat dhe portalet, pasi do të ishte e tmerrshme për mua të lexoja “sulmohet me thikë”.

A ju tregoi sesi ndodhi ngjarja?
Për fat, Nesti është mirë. Ngjarja ka ndodhur ashtu sikundër edhe është raportuar nga mediat. Dikush e ka sulmuar, i ka rënë në grusht dhe ai është vetëmbrojtur duke ia kthyer grushtin. Në atë çast ka nxjerrë thikën, por për fat ka qenë i shoqëruar me Gilman Likën. Gjithçka ka ndodhur kur po dilnin nga dushet, pra, pas stërvitjes.

Gjoka nuk njihet për një person konfliktual, ndaj pse mendoni që i ndodhi kjo?
E di për çfarë më vjen keq? Këtë nuk e them se është bashkëshorti im, por sepse Nesti është një njeri jashtëzakonisht i përkushtuar dhe më vjen keq që punon në një qytet të atillë, ku i kanë hapur probleme që nga dita e parë që ka filluar punën.

Pak kohë më parë, trajneri i Vllaznisë ruhej edhe nga policia. Mos kanë lidhje ngjarjet?
Nuk di ta them, derisa as policia nuk e ka një informacion të tillë. Agresori është larguar dhe ende nuk është arrestuar. Nuk e di nëse kanë lidhje me rastin e parë apo është diçka tjetër.

Në dijeninë tuaj, a ka pasur ndonjë konflikt?
Absolutisht jo! Nuk ka asnjë konflikt. Ai vetëm ka marrë drejtimin e një skuadre dhe e ka organizuar sipas ideve dhe filozofisë së vet. Dikush mund të jetë i kënaqur dhe dikush jo, por jo sa të kalojë në një konflikt personal.

Po agresorin a e njihte?
Fare. Ka qenë me kapuç të zi, por dukej që ishte djalë i ri. Gjithçka mund të ketë zgajtur vetëm 10 sekonda, jo më shumë. Ai nuk e ka pritur që Nesti t’i kundërpërgjigjej me grusht dhe nga frika ka nxjerrë thikën dhe ka ikur.

Pse kaq terren i vështirë Shkodra, pasi në Vlorë dhe në Kukës nuk ka pasur kurrë ndonjë situatë të tillë?
Nuk e di çfarë të them, mbase vjen prej faktit që është ekip bashkie apo ndonjë problemi të brendshëm. Nesti është prurje e re në Shkodër, ndaj nuk di shumë për atë ambient. Ndoshta mund të jetë edhe një rast i veçuar për ndonjë gjë koti. Nuk mund të them më shumë, pasi në të vërtetë nuk e di çfarë ka ndodhur. Por, më vjen keq që një qytet si Shkodra, me aq kulturë, të përjetojë situata kaq të tmerrshme dhe të “prodhojë” lajme të tilla.

Burimi: http://www.panorama.com.al/sport/ekskluzive-rrefehet-bashkeshortja-e-gjokes-u-zgjova-nga-nje-enderr-e-tmershme-ja-si-e-mora-vesh-lajmin/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb