Nga: Aurora Koromani*
TIRANE- Bashkëshortja e Gani Malushit, ish-komisarit të vrarë në vitin 2003, kërkon nga shteti shqiptar që të gjitha familjet e policëve të rënë në krye të detyrës të trajtohen njëlloj nga ana financiare. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, kur kanë kaluar pothuajse 12 vite nga vrasja e ish-komisarit, Esma Malushi rrëfen se ajo përfiton pension suplementar më të vogël se sa shumë familje të tjera të policëve dëshmorë, duke u ndier në këtë mënyrë e diferencuar. “Buxheti i shtetit nuk mund të përmirësohet me gjakun e policëve që dhanë jetën në krye të detyrës”, shprehet Malushi, duke sqaruar se ajo është në proces gjyqësor me Sigurimet Shoqërore.

Cili është problemi që ju keni me marrjen e pensionit suplementar?
Problemi im është se unë nuk e marr pensionin suplementar aq sa parashikon ligji i fundit që trajton pikërisht trajtimin financiar të familjeve të policëve të rënë në krye të detyrës. Kjo, pasi unë e marr pensionin sipas një ligji që ka dalë në vitin 2009, ndërkohë që një vit pas tij ka dalë ligji tjetër, që parashikon të tjera kritere për marrjen e këtij pensioni. Nëse do trajtoheshin të gjitha familjet e policëve të rënë në krye të detyrës me ligjin e vitit 2009, unë nuk do kisha asgjë kundër, por kur shumë prej tyre trajtohen me një ligj tjetër dhe përfitojnë më shumë, unë nuk e kuptoj se përse duhet të bëhen këto dallime.
Ju si jeni trajtuar deri tani, me cilin ligj dhe sa keni përfituar?
Pensionet suplementare për familjet e policëve të rënë në krye të detyrës janë trajtuar fillimisht në bazë të dekreteve nr.7703, të datës 11.05.1993, konkretisht në nenin 40 dhe dekretit të presidentit nr.758, të datës 01.02.1994. Në zbatim të tyre kanë dalë ligjet nr.8087 i vitit 1996 dhe ligji nr.8521 në vitin 1999. Në ligjin nr.8087 përcaktohet se pensioni suplementar kap vlerën e pagës neto, ndërsa në ligjin nr.8521 pensioni suplementar është i barabartë me shumën e pagës bruto dhe fitohet në masën 100 për qind të pagës referuese që efektivi ka marrë në muajin e fundit para të binte në krye të detyrës. Me këtë trajtim unë kam vazhduar deri në vitin 2011. Por, në vitin 2009 është miratuar ligji nr.10142, i datës 15.05.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit…” dhe në këtë ligj, konkretisht në nenin 21 dhe në nenin 24 është futur edhe trajtimi financiar i familjeve të policëve. Ky ligj është vënë në zbatim në vitin 2011. Por, në vitin 2010 është miratuar ligji nr.10289 i datës 17.06.2010. Prandaj unë dua të theksoj se herë pas here dalin ligje që rrëzojnë njëri-tjetrin dhe krijojnë probleme me familjet që përfitojnë pension suplementar.
Ju me cilin ligj trajtoheni dhe cili është problemi i zbatimit të këtij ligji?
Problemi qëndron se shteti për interesa të buxhetit të sigurimeve shoqërore zbaton ligjin nr.10142, në të cilin bëhet rillogaritja e masës së pensionit suplementar të familjeve të policëve të rënë në krye të detyrës. Familjet që trajtohen me këtë ligj, mes të cilëve edhe unë, kanë 30-40 për qind zbritje të shumës së pensionit suplementar. Edhe pse pas ligjit nr.10142 i vitit 2009 është miratuar një ligj tjetër në vitin 2010 që trajton pensionet suplementare, unë sërish trajtohem me ligjin e vjetër, duke mos e përfituar të plotë masën e pensionit.
Sa është shuma që merrni ju dhe sa duhet të merrni?
Në ligjin nr.10142, masa e pensionit suplementar është e barabartë me pagën neto, ndërsa po të trajtohesha me ligjin e një viti më vonë, nr.10289 do ta përfitoja pensionin suplementar të barabartë me pagën bruto. Unë aktualisht marr 710 mijë lekë të vjetra në muaj, nga të cilat vetëm 450 mijë lekë të vjetra unë paguaj kredinë, pasi kam marrë një shtëpi me kredi, pa llogaritur shpenzimet për ujin, dritat dhe gjërat e tjera. Po të trajtohem me ligjin tjetër, më takon të marr rreth 900 mijë lekë të vjetra në muaj.
Sa familje trajtohen me ligjin nr.10142, sipas të cilit përfitoni edhe ju?
Ka shumë familje policësh të vrarë, ndërkohë që para syve tanë, para syve të mi, unë shoh që familje të tjera trajtohen me ligjin e vitit 2010. Atëherë unë i bëj pyetjen vetes, si ka mundësi që në të njëjtat kushte, persona të tjerë trajtohen me ligjin nr.10289, ndërsa unë trajtohem me ligjin e vitit 2009? Ligji është një i vetëm, por unë mendoj se interpretimi që i bëjnë njerëzit këtij ligji është i ndryshëm. Diferencimi vjen vetëm si pasojë e interpretimit të ligjeve.
Ju keni komunikuar me zyrën e Sigurimeve Shoqërore?
Po, patjetër dhe jam edhe në proces gjyqësor me këtë institucion. Por ata mbështeten te vendimi numër 2 i Gjykatës Kushtetuese e vitit 2013, e cila lë në fuqi nenin 29 të ligjit nr.10142, ku rillogaritet masa e pensionit suplementar dhe në asnjë moment nuk përmenden te ky vendim pensionet suplementare të policëve të rënë në krye të detyrës. Ndërsa në vendimin nr.33 të po kësaj gjykate thuhet që e drejta e fituar nuk cenohet.
Ju çfarë kërkoni nga shteti shqiptar?
Në kushtet kur unë e kam lënë punën që në vitin 2011 dhe në të njëjtën kohë bashkëvuajtësja ime trajtohet ndryshe, unë dua që të trajtohen të gjithë njësoj. Shteti shqiptar nuk mund të pretendojë se do e përmirësojë gjendjen e buxhetit me gjakun e policëve të rënë në detyrë. Na premtuan se do të na përmirësonin kushtet, do na mbanin afër që të mos e ndienim dhimbjen, duam vetëm të mbajnë premtimet.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: