TIRANE-“Kjo ninullë”, është libri më i ri në stendat e librit shqiptar i përkthyer në gjuhën shqipe nga Enkeleida Haxhinasto, bashkëshortja e ish-ministrit të Transportit, Edmond Haxhinasto. Enkeleida duke folur për “Balkanweb”, ndalet te subjekti i këtij libri që në Shtetet e Bashkuara ka qenë bestseller dhe që i dedikohet më shumë lexuesit të ri. Enkeleida Haxhinasto është përkthyese e disa librave, ku më i njohuri për lexuesin shqiptar është “Si të thuash Po”.

“Kjo ninullë” është libri i dytë që përktheni nga shkrimtarja amerikane bestseller, Sara Dessen. Çfarë mund të na thoni për këtë shkrimtare?
Sarah Dessen ka aftësinë të shkruajë romane, që jo vetëm kënaqin lexuesin, por janë edhe kryevepra letrare në letërsinë për të rinj. Sarah Dessen ka një stil letrar që të lë pa fjalë. Ajo arrin t’i befasojë lexuesit adoleshentë me çdo libër të sajin, dhe di si të futet në mendjet e tyre. Dessen ka një dhunti. Ajo di si t’i kthejë fabulat e romaneve në histori të bukura e të thella. Sarah Dessen, sipas gazetës, New York Times, është autorja bestseller e dhjetë romaneve, që janë shitur në më tepër se shtatë milion kopje dhe kanë marrë vlerësime të shkëlqyera dhe çmime të shumta. Ashtu si edhe në romanin tjetër të Sarah Dessen që kam përkthyer, “Dikush si Ti”, gjuha është e thjeshtë dhe pikërisht te thjeshtësia e tregimit, gjen madhështinë e saj si shkrimtare. Gjithashtu, nuk do të doja të lija pa përmendur edhe rrjedhshmërinë e stilit të saj.

Mund të më thoni diçka për subjektin e këtij libri, veçanërisht për personazhin kryesor, Remin?
Remi eshte nje 18 vjecare, e cila nuk beson në dashuri. Mamaja e saj, shkrimtare e historive të dashurisë po përpiqet të shpëtojë martesën e saj të pestë, ndërsa babain nuk e ka njohur kurrë. E vetmja gjë që di për të atin, një këngëtar i viteve 70-të, është që ka shkruar një këngë për të: “Kjo ninullë”. Sa herë e dëgjon, i duket si një plagë që nuk u shërua kurrë. Kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me djemtë, Remi ka rregullat e saj. Ajo nuk i merr kurrë seriozisht, nuk i lejon t’i thyejnë zemrën dhe nuk lidhet kurrë me një muzikant. Por ajo shastiset kur Deksteri hyn në jetën e saj dhe refuzon të largohet. Ai është gjithçka që Remi urren: ironik, shkatarraq, i paorganizuar dhe muzikant. Remi dhe Deksteri, kërcejnë nga faqet e librit në zemrat e lexuesve, që do ta ëndërronin këtë histori dashurie. Ata që shpresojnë se Remi, në fund, do të shndërrohet në një Hirushe, në të vërtetë, do të befasohen nga një kthesë e ngjarjeve të romanit.“Kjo ninullë” është një libër për miqësinë dhe dashurinë, shpresën dhe besimin, si dhe guximin për të pranuar dikë në jetën tënde.

Pra, ky libër ka kryesisht lexues të rinjtë?
Po, ashtu si edhe libri i mëparshëm i Dessen, “Dikush si ti”, ky libër i drejtohet kryesisht lexuesve të rinj, dhe në SHBA është mjaft i pëlqyer prej tyre. Për lexuesin shqiptar, kam përgatitur edhe një book trailer, ku mund të shihni një përmbledhje të shkurtër të librit.
83fee67f-4c39-49f0-99ae-5e2359940689
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb