Nga Fatos Çoçoli
Rasti i ish-kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski, i dënuar pak ditë më parë për abuzime në një tender për blerjen e makinës së tij super të shtrenjtë prej afro 600 mijë eurosh, të sjell ndërmend me dhjetëra, në mos qindra raste të denoncuara nga KLSH për abuzimet me tenderat publikë, të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve tanë të lartë. Ky institucion ka denoncuar pa pushim abuzimet në tenderat e qeverisë qendrore dhe njësive vendore.

Janë me miliarda euro në formën e dëmit ekonomik, të parasë shtetërore të shpenzuar keq, ose të të ardhurave të munguara në Buxhetin e Shtetit, të zbuluar dhe denoncuar në 6 vite e gjysmë nga KLSH. Të gjitha të përmbledhura në dosje-denoncime për prokurorinë. Nëse sot abuzohet më pak në nxjerrjen e naftës shqiptare, nëse Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore është në ristrukturim pozitiv më në fund, kjo ndodh edhe falë denoncimeve të këtij institucioni. Sot kemi prapa hekurave ish-drejtues dhe drejtues të Autoritetit Rrugor Shqiptar, kur KLSH i ka denoncuar ata që në vitin 2013 e më tej në vijimësi.

I njëjti institucion ka denoncuar abuzimet me tenderat dhe me menaxhimin e të gjitha shpenzimeve dhe të ardhurave buxhetore me një ritëm një kallëzim penal në javë në 2326 ditë, ose në gjashtë vjet e katër muaj, por pak ose asfare nuk është lëvizur nga strukturat e tjera përgjegjëse dhe pritëse të denoncimeve. Paradoksi është se kemi me dhjetëra zyrtarë të nivelit shumë të lartë në administratën tonë shtetërore, që mbahen ende në punë, me gjithë denoncimet e KLSH ndaj tyre. Ky institucion nuk ka kursyer dorë duke denoncuar zyrtarëve të lartë të të gjitha partive kryesore.

Të Partisë Demokratike në vitet 2012-2013, kur kjo ishte në pushtet dhe më vonë të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Pikërisht ky distancim ndaj fuqisë politike të momentit në pushtet dhe respekti e përkushtimi ndaj standardeve ndërkombëtare të profesionit, ato të organizatës botërore të 192 institucioneve supreme të auditimit, INTOSAI-t, përbën fuqinë e vërtetë të gjetjeve dhe denoncimeve të institucionit. Nëse ato do të ishin ndjekur nga organet kompetente, sot situata me korrupsionin galopant që ende e kemi do të ishte krejt ndryshe. Puna profesionale, përkushtimi ndaj standardeve ndërkombëtare dhe partneriteti i fuqishëm me organizatat simotra të zhvilluara të Evropës, kanë sjellë heshtje në kampin politik shqiptar në lidhje me këtë institucion kushtetues. Kamp që për interesa dritëshkurtra partiake e politike të momentit, nuk rresht së akuzuari e sulmuar çdo institucion shtetëror.

Një fuqi e tillë denoncuese e KLSH shumëfishohet nga siguria profesionale, se gjetjet dhe zbulimet e dëmeve ekonomike, parave të shpenzuara keq ose të humbura si të ardhura për Buxhetin e Shtetit, kanë ardhur si rezultat i një analize të kujdesshme të riskut të institucionit shtetëror që kontrollohet. I një pune hulumtuese të hollësishme dhe të ndershme, duke i krahasuar gjetjet dhe shkeljet me kuadrin ligjor përkatës, duke mos pritur asnjë sekondë, kur materialet bëhen gati, për të bërë kallëzimin penal dhe duke përcjellë materialet në prokurori pa kompromis dhe me kurajë. Institucionet e reja që po dalin nga reforma në drejtësi, sidomos njësia e specializuar SPAK, prokurorët profesionistë dhe me integritet të kësaj strukture, duhet të trajtojnë me përparësi denoncimet e KLSH dhe të ILDKPKI, sapo ajo të nisë funksionimin.

Është shpresa se më në fund do të kemi gjyqe shembullore, si ajo që pak ditë më parë përfundoi Maqedonia ndaj ish-kryeministrit të vet, edhe pse vetëm për shkeljet me blerjen e supermakinës së vet shtetërore. Denoncimet e KLSH, ndryshe nga denoncimet nëpër media (me gjithë vlerën e jashtëzakonshme sensibilizuese të këtyre të fundit), janë të pajisura me dokumente, fakte dhe shifra kokëforta, të cilat do të shërbenin si një bazë ideale nisjeje për procese gjyqësore, që do të paralizonin korrupsionin galopant, kundër abuzuesve me pronën shtetërore dhe paratë e qytetarëve të këtij vendi në nivelet më të larta të administratës. Reforma në drejtësi do të fitonte procese konkrete dhe dinjitoze hetimi dhe gjyqesh, peshë dhe besim në sytë e njerëzve dhe partnereve tanë perëndimorë, njësoj si Maqedonia fitoi tri ditë më parë me vendimin e gjykatës maqedonase ndaj ish-kryeministrit Gruevski. /GazetaShqiptare/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: