NGA DARINA TANUSHI*

Tri ministra të qeverisë “Rama” raportuan dje në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, pas kërkesës së deputetes Arta Dade, dy mbledhje më parë. Kryeministri Edi Rama dhe ministrat Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri e Ilir Beqaj shpjeguan për deputetët edhe çështjen e koncesioneve, për të cilat ka pasur mjaft kritika edhe nga deputeti Ben Blushi.

Burimet nga mbledhja e grupit bënë me dije për “Gazeta Shqiptare” se ishte deputeti Fatmir Toçi, i cili ngriti shqetësimin për çështjen e naftëtarëve. Toçi ka kërkuar që të anulohen koncesionet për tregun e naftës në Gorishtë, Vllahinë dhe Amonicë dhe HEC­in e Langaricës. Ndërsa ministri Damian Gjiknuri mësohet të jetë shprehur se këto koncesione janë bërë mbi bazën e kontratave, të cilat nuk lejojnë anulim.

Prishja e këtyre kontratave mësohet të jetë shprehur Gjiknuri sjell shumë kosto për vendin. Vetë kryeministri Edi Rama, i cili ka qëndruar në mbledhjen e grupit parlamentar deri në momentin që nisi të fliste deputeti Ben Blushi e më pas u largua për shkak të takimit me eurodeputetët Fleckenstein e Kukan, shpjegoi atë që quhet partneriteti publik–privat.

Sipas Ramës, kjo është një zgjidhje e mirë, për shkak se shumë investime në vend, që kushtojnë miliona lekë, nuk mund të përballohen nga shteti. Ndërkohë në mbledhjen e grupit parlamentar, deputeti Ben Blushi dorëzoi edhe një dokument me 14 shkelje të statutit të PS-së. Blushi shprehu edhe një herë rezervat e tij për moslejimin e garës për kryetar të PS-së. Pas mbledhjes së grupit parlamentar, deputetja Blerina Gjylameti tha për gazetarët se deri më tani, PS-së i janë shtuar “35 mijë anëtarëve të rinj, në vetëm 4 muajt e fundit”.

Ajo tha se këtë të shtunë në 4 qarqe; Fier–Berat, rajoni Elbasan-Korçë do të zgjidhen sipas parimit ‘një anëtar-një votë’ delegatët. Nisur nga kritikat e Blushit, Gjylameti tha: “Kongresi do të trajtojë shqetësimin e disa kolegëve tanë, që ka të bëjnë me trajtimin që do të kenë zgjedhjet për kryetarin e Partisë Socialiste të Shqipërisë. Për këtë arsye, edhe pse shumica dërrmuese mendojnë se duhet të trajtojnë dhe operojnë me modelin e Partisë Laburiste, ku kryetari i partisë njëkohësisht dhe kryeministër i mandatuar, i cili ka një kontratë me qytetarët, të mos vihet në baraspeshë vetëm nga statuti i partisë”.

Nga ana tjetër, ministri i Ekonomisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj tha se në fokus të mbledhjes së grupit parlamentar socialist këtë të hënë ishin partneritetet e fundit publik­privat, që qeveria ka lidhur për disa shërbime. Në një prononcim për mediat në përfundim të mbledhjes, Ahmetaj tha: “Sigurisht që ndonjë deputet mund të ketë pasur paqartësi dhe kjo është e natyrshme.

Por, grupi është shumë i qartë, aq më tepër që të gjithë partneritetet publike apo private që ne bëjmë, nuk dalin asnjëherë dhe aspak jashtë programit të Partisë Socialiste kur ne kemi qenë në opozitë. Në qoftë se do ta kontrolloni, ne i referohemi në programin tonë partneritetit publik- privat si një nga instrumentet për të ofruar më shumë shërbime dhe për të thithur më shumë investime, gjë që po e bëjmë”, tha Ahmetaj.
(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb