TIRANË-Një ditë më parë Presidenti i Republikës Bujar Nishani dekretoi emrin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë pas disa ditësh konsultimesh dhe pritjeje. Gent Sejko ishte i përzgjedhuri i Presidentit, ndërsa pritet një vendim i mazhorancës rreth këtij propozimi. Për herë të parë nga radhët e koalicionit të majtë reagohet rreth këtij propozimi. Ka qenë kryetari i Parlamentit z Ilir Meta, i cili gjatë një interviste televizive shprehet se “Për emrin konkret nuk ka ende një qëndrim të qartë apo përfundimtar, sepse jemi në vijim të procedurave të diskutimit në radhë të parë të dekretit të Presidentit, i cili dje është bërë publik”.
Në intervistën për Vizion Plus, Meta shprehet mbi bojkotin e opozitës, 8 Dhjetorin si dhe zhvillimet e fundit në Kosovë.

Z. Meta sot është 8 dhjetori, është një festë kombëtarë në fakt e rinisë, por më së shumi është perceptuar si një festë e së djathtës. A është në fakt kjo edhe një festë e së majtës shqiptare?
Kjo është një festë e të gjithë popullit shqiptarë dhe e gjithë rinisë shqiptare, sepse demokracia është pronë e të gjithëve. Të gjithë kanë të njëjtën mundësi, të gjithë kanë vetëm një votë për të shprehur mendimin dhe për të bërë zgjedhjen e tyre dhe të gjitha këto mundësi lidhen me 8 dhjetorin.
Ju vetë ku keni qenë në atë periudhë, çfarë mbani mend nga ajo kohë?
Sigurisht, unë kam qenë student dhe kam qenë një pjesëtar i lëvizjes studentore dhe natyrisht ka qenë një kohë e jashtëzakonshme dhe e papërsëritshme, sepse ishte një kohë midis dy epokave.
Sot në fakt që ne flasim, Partia Demokratike ndodhet jashtë Kuvendit prej 5 muajsh. A duhet që të kthehet PD-ja në parlament, a do të përpiqet mazhoranca t’i krijojë asaj mundësitë për një kompromisi që të kthehet?
Mazhoranca i ka krijuar të gjitha mundësitë Partisë Demokratike, mundësi të cilat jam i bindur që ajo nuk do t’ia ofronte një opozite dhe natyrisht që çdo vonesë është e pakuptimtë deri dhe absurde. Megjithatë është e drejtë e Partisë Demokratike për të marrë vendimet e saj në liri të plotë në respekt edhe të mesazhit të 8 dhjetorit.
Në fakt PD pretendon për një marrëveshje nën garancinë e ndërkombëtarëve. A është e vështirë të bëhet kjo?
Nuk arrij të kuptoj se çdo të thotë kjo, por është e drejtë e tyre të vazhdojnë të mbajnë këto qëndrime paradoksale, megjithatë në çdo moment ata janë të mirëpritur për të marrë ato pozicione që u kanë dhënë qytetarët shqiptar dhe për të vijuar punën e tyre si forcë parlamentare me përgjegjësi të mëdha.
Kushtetuta parashikon që kur një deputet nuk paraqitet pa arsye në Kuvend për 6 muaj mandati i tij digjet. Çfarë do të ndodhë me mandatet e Partisë Demokratike 6 muajt e së cilës i mbush në janar?
Nuk është detyra ime të numëroj ditët e mungesës së deputetëve, por natyrisht do të respektohet Kushtetuta, do të respektohet rregullorja e Kuvendit dhe shpresoj që Partia Demokratike të përmbushë përgjegjësitë e saj dhe të tregojë që bojkoti nuk është një alternativë.
Një ditë më parë Presidenti i Republikës dekretoi emrin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë pas disa ditësh konsultimesh dhe pritjeje. Cili është qëndrimi i mazhorancës dhe i LSI-së për këtë emër?
Për emrin konkret nuk ka ende një qëndrim të qartë apo përfundimtar, sepse jemi në vijim të procedurave të diskutimit në radhë të parë të dekretit të Presidentit, i cili dje është bërë publik. Në këtë mënyrë, Presidenti ka përmbushur një detyrim të tij kushtetues pas një procesi përzgjedhjeje, konsultimi që ai vetë ka zhvilluar . Është ende herët për të dhënë një qëndrim të qartë, por mund t’ju them se në mënyrë të veçantë, pasi kandidati për Guvernator të dëgjohet në Komisionin e Ekonomisë, ndoshta do të kemi një qëndrim më të plotë. Natyrisht në koordinim edhe me Partinë Socialiste.
A ishin pritshmëritë tuaja më të larta për një figurë me një profil më të qartë dhe më të lartë publik për Guvernator?
Aktualisht kemi një emër konkret. Do ta studiojmë, do ta dëgjojmë dhe më pas do të marrim një vendim larg paragjykimeve.
A besoni ju se emri i Guvernatorit do të ishte në fakt pjesë e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, siç interpretohet ligji nga një pjesë e mirë e ekspertëve dhe e juristëve?
Kjo nuk është çështja më e rëndësishme. Më duhet të nënvizoj se e rëndësishme është që çështja e Guvernatorit të marrë një zgjidhje sa më të shpejtë, sa më të mirë, sa më konsensuale dhe në interes të forcimit të pavarësisë së këtij institucioni.
A rrezikojmë që çështja e Bankës së Shqipërisë të kthehet si çështja e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë, ku prej një viti nuk plotësohen tre vendet vakante?
Mendoj se janë dy çështje të ndryshme. Ne e kemi bërë të qartë se përveç kriterit të ligjit sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, është e nevojshme të miratohen edhe disa kritere shtesë, që natyrisht do të vinin si rezultat i konsultimeve të Presidentit të Republikës me përfaqësuesit e Kuvendit dhe të grupeve parlamentare. Pra, mendoj se janë dy çështje të ndryshme dhe në këtë rast nuk duhet t’i ngatërrojmë.
Po këmbëngul te pjesa e Guvernatorit. LSI-ja do të votojë pro apo kundër kandidaturës së z. Sejko?
Çdo prononcim sot do të ishte i nxituar dhe do të ishte i paragjykuar. Prandaj më duhet të nënvizoj rëndësinë e vijimit të procesit të procedurave të shqyrtimit të dekretit të Presidentit. Dhe një moment i rëndësishëm përpara se deputetët dhe grupet parlamentare të shprehen në seancën plenare për një vlerësim objektiv të kandidatit dhe të mundësisë së tij për të performuar në mënyrë të suksesshme dhe të përgjegjshme në krye të Bankës së Shqipërisë, do të jetë paraqitja në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave.
Po pse në fakt z. Meta, Kuvendi nuk po procedon më plotësimin e dy vendeve në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë edhe pse gara u hap, aplikimet u dorëzuan?
Kuvendi është në procedurat e tij duke ecur drejt plotësimit të detyrave të veta në këtë drejtim.
Sot kemi një zhvillim të rëndësishëm në fakt në Kosovë ku konstituohen institucionet e reja, nga Kryetari i Kuvendit deri te Kryeministri. A është i rëndësishëm ky moment për Kosovën?
Shumë i rëndësishëm, duhet të kishte ndodhur me kohë, megjithatë është e rëndësishme që sot duket se do të marrë zgjidhje të shpejtë i gjithë boshllëku institucional i krijuar në Kosovë gjatë këtyre muajve pas zgjedhjeve. Në e përshëndesim fuqishëm këtë marrëveshje mes PDK-së dhe LDK-së dhe urojmë që kjo marrëveshje ti shërbejë forcimit të institucioneve në Kosovë, përmirësimit të mëtejshëm të qeverisjes, avancimit të mëtejshëm të dialogut me Serbinë dhe njëkohësisht zhvillimit ekonomik të Kosovës, por edhe marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës natyrisht do të ecin në rrugën e mbarë.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb