“Rruga e Arbrit nuk duhet të jetë prioritet as për Qeverinë e Maqedonisë e as për atë të Shqipërisë”. Ky është qëndrimi i ekspertëve pas paralajmërimit nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, se do të kërkojë nga homologu i tij Zoran Zaev, që ky aks të ndërtohet si autostradë edhe në Maqedoni.

Profesori universitar, Vullnet Palloshi konsideron se dyja vendet nuk do të kenë dobi të mëdha me këtë aks. Në ditë nëpër këtë rrugë kalojnë më pak se 5000 automjete. Palloshi propozon që fokusi të vendoset në lidhjen moderne me Shqipërinë përmes Strugës. Ndërkohë kryeministri Zaev i pyetur nga Alsat për komentimin e deklaratës së kryeministrit Rama, shkurt u përgjigj.

“Do të shohim çfarë është më ekonomike, më e leverdishme dhe më logjike. Këtë do ta bëjmë…”- ka thënë kryeministri Zoran Zaev për Alsat.

Ekspertët rekomandojnë që qeveria me hapa më të përshpejtuar duhet t’i ndërtojë akset Gostivar – Kërçovë dhe Kërçovë – Ohër pasi pikërisht këto autostrada do të mundësojnë lëvizje të shpejtë të mallrave dhe shërbimeve. Ndërsa, se nuk është në plan që aksi drejt Dibrës të bëhet autostradë, për Alsat M konfirmojë edhe nga ndërmarrja shtetërore për rrugë. Drejtori Zoran Kitanov thotë se të gjitha analizat e deritanishme nuk kanë treguar arsyeshmëri ekonomike. Kitanov shton se ky aks po rehabilitohet, por se nuk do të ndërtohet autostradë.

“Për momentin po rehabilitohet rruga ekzistuese nga Dibra deri në kalimin kufitar Bllato. Në muajin shtator e firmosëm marrëveshjen dhe është zgjedhur edhe realizuesi i punimeve në këtë rrugë”, bëjnë me dije nga Ndërmarrja Shtetërore e Rrugëve.

Për momentin punohet në riparimin e rrugës nga “Boshkov Most” deri në Dibër, pas çka do të vijojë faza e tretë gjegjësisht deri në kalimin kufitar me Shqipërinë. Aksin e ri “Rruga e Arbrit” në suazat e Samitit 100 në Shkup e paralajmëroi kryeministri Edi Rama. Kjo autostradë në Shqipëri ndërtohet me mjete të Bankës Popullore Kineze, ndërsa rruga e re pritet që ta shkurtojë udhëtimin nga Tirana deri në kalimin Bllato në Dibër në vetëm 70 km.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb