Në një deklaratë të fundit për mediat, presidenti rus Vladimir Putin është shprehur me fjalë pozitive për Kim Jong Un. “Ai ka dalë fitues në krizën më të fundit rreth Gadishullit Korean”-thotë presidenti rus, Vladimir Putin. Ai beson se Pheniani tani po përpiqet të zbusë tensionet.

“Unë besoj, zoti Kim Jong-un sigurisht ka fituar këtë raund,” i tha Putin gazetarëve në një takim me mediat ruse. Ai tha se Koreja e Veriut ka arritur qëllimin e saj strategjik.

“Ai ka një bombë bërthamore dhe një … raketë me një rreze deri në 13,000 kilometra që mund të arrijnë pothuajse çdo vend në Tokë ose të paktën çdo territor të kundërshtarit të tij të mundshëm “, u tha Putin gazetarëve të enjten. Presidenti rus tha se lideri i Koresë së Veriut ka gjasa të kërkojë lehtësimin e tensioneve në rajon.

“Ai është tashmë një politikan absolutisht i matur dhe i pjekur,” shtoi Putin.

Kriza e fundit rreth Gadishullit Korean shpërtheu në shtator 2017 pasi Pheniani  pretendoi se kishte kryer një test bombë me hidrogjen.

 (BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: