TIRANË- Ish-rivali i Lulzim Bashës në zgjedhjet brenda partisë Eduard Selami ka marrë disi në mbrojtje kryetarin e PD-së përballë lumit të kritikave dhe zërave kundër.

Selami deklaroi nga studio e “Top Story” se ka ardhur koha që të ulet zëri kritik në Partinë Demokratike tani që Lulzim Basha u zgjodh sërish në krye të saj.

“Nuk jam dakord me bojkotin siç u bë. Tani duhet ulur pak zëri sepse Basha u zgjodh tashmë. Edhe Basha dhe kritikët duhet të zbuten. Basha duhet të telefononte Patozin, Bregun dhe Topallin e të fliste me ta. Unë them që Basha duhet të mblidhte grupin e vjetër parlamentar dhe të bënte kalimin e stafetës. Këtu humbi një rast”, tha Selami, i cili sqaroi se nuk do të kandidojë për asnjë post në PD.

“Unë do të jap kontributin tim maksimal për Partinë Demokratike, por nuk do të kandidoj për asnjë lloj posti në parti. Basha më ka në dispozicion. Kontributi nuk janë vetëm funksionet apo postet”, tha Selami.

Në fund, Selami theksoi se “suksesi i Bashës është suksesi jonë i përbashkët”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: