Deputetja Mimoza Hafizi i është rikthyer nismës për zgjedhjen e presidentit nga populli. Në një prononcim për mediat, Hafizi tha pas një takimi me anëtarë të LIBRA-s në Shkodër se, janë 10 deputetë që e kanë firmosur këtë nismë dhe po bëhet presion që të diskutohet në Kuvend. LIBRA e hodhi këtë nismë për votim edhe në internet, ku deri më sot, tezës për një president nga populli i janë përgjigjur 10.295 persona.

“Ne kemi kërkuar që presidenti të zgjidhet nga populli. Ende ky opsion nuk është ezauruar. Janë 10 deputetë që e kanë firmosur. Edhe dje (të enjten) në parlament e diskutova. Po bëjmë presion që kjo çështje të rikthehet. Do të ishte shumë mirë që ky problem të zgjidhet nga vota popullore”, – u shpreh Hafizi.

E pranishme së bashku me kolegun Ben Blushi në një takim me strukturat e LIBRA-s në Shkodër, Hafizi theksoi se për koalicionet, partitë aktuale janë larg asaj çfarë kërkon forca e saj politike. Megjithatë, anëtarësia do të vendosë gjithçka për 2017-ën, ashtu si bëri për votën e tyre ‘kundër’ ndaj buxhetit.

Dhjetë deputetët që mbështetën propozimin e Hafizit për të ndryshuar Kushtetutën për zgjedhjen e presidentit nga populli janë: Arta Dade, Agron Duka, Ben Blushi, Dashamir Shehi, Eduard Selami, Luljeta Arapi, Mimoza Hafizi, Nard Ndoka, Tahir Muhedini dhe Vangjel Dule.

Ndërkohë dje, Hafizi sqaroi se për pak muaj do të zgjidhen edhe organet drejtuese, ndërkohë që organet e para drejtuese dhe kryetari Ben Blushi janë zgjedhur nga grupi nismëtar që krijoi LIBRA-n. “Ato janë organe të përkohshme, që kanë për detyrë organizimin e LIBRA-s deri në zgjedhjet e para të brendshme”, – tha dje, Hafizi.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: