SHKUP– Raporti i shumëpritur i Komisionit Europian për progresin e Maqedonisë e ktheu vendin në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Komisioneri për Zgjerim dhe Politikat e Fqinjësisë së Bashkimit Europian, Johannes Hahn, dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, u dorëzuan autoriteteve të Shkupit progres-raportin e Komisionit Europian.

“Vendi dhe qytetarët e merituan rekomandimin e pakushtëzuar. Anëtaret e BE-së e njohën punën e realizuar. Këtu jam që të jap lajmet e mira të shumëpritura, për ta shënuar suksesin pas angazhimeve të gjata për tejkalimin e krizës”, theksoi eurokomisioneri europian, HaHn në dorëzimin e raportit të KE-së për progresin e Maqedonisë, kryeministrit Zoran Zaev.

Hahn përshëndeti angazhimin e autoriteteve për realizimin e reformave të nevojshme që i mundësuan Maqedonisë marrjen e rekomandimit për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE.

“Maqedonia ndodhet tashmë në rrugën europiane dhe ka bërë ndryshime pozitive”, theksoi HaHn.

Eurokomisioneri HaHn theksoi se ishte optimist se Maqedonia dhe Greqia do të gjenin një zgjidhje sa më të shpejtë për kontestin e emrit dhe se nevojitet të arrijnë marrëveshje që do t’u shërbejnë interesave të dy palëve.

Kryeministri Zoran Zaev nuk e fshehu kënaqësinë për këtë vendim të Komisionit duke e cilësuar këtë si një moment të rëndësishëm që i detyron të vazhdojnë punën e deritanishme.

Kryeministri Zaev theksoi se marrja e rekomandimit është një motiv i fortë për arritjen e objektivit të vështirë, por të arritshëm, fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.

“Do të punojmë edhe më energjikisht që në qershor të marrim datën për negociatat. Vazhdojmë me reformat thelbësore edhe pas Planit 3-6-9 do të konfirmojmë një plan të ri të reformave”, theksoi Zaev.

Maqedonia gjatë vitit të kaluar bëri progres në përmbushjen e kritereve politike, ekonomike dhe demokratike, vlerëson Komisioni Evropian në raportprogresin e vendit në bazë të së cilit rekomandoi që të fillojnë negociatat për anëtarësimin e saj në BE.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb