Nga: Anila JOLE

GREQI– “2018 do të jetë një vit vendimtar dhe një mundësi për të promovuar integrimin e Ballkanit”, kështu deklaroi Komisioneri për Zgjerim Johannes Hahn në Athinë i ftuar nga Fondacioni Grek për Evropën dhe Politika të Jashtme.

Ai deklaroi se shtetet anëtare të BE nuk do të pranojnë në mesin e tyre një vend që ka probleme me fqinjët e tij. Ne nuk e duam këtë, është mësim nga e kaluara”, tha ai. Ndërkohë me sa duket në këtë kontekst, Hahn i dërgoi një mesazh të qartë Serbisë, së cilës i kërkoi që të zgjidhë mosmarrëveshjet me Kosovën.

“Ne nuk mund të pranojmë anëtarë me probleme me fqinjët”, përsëriti Hahn dhe përgëzoi presidentin serb Vuçiç për përpjekjen e tij për një dialog të brendshëm konstruktiv. Komisioneri Hahn ngriti pyetjen, se “Si 22 vendet e BE-së që e kanë njohur Kosovën do të votojnë për pranimin e Serbisë në BE, nëse ajo vetë nuk e ka zgjidhur më parë këtë problem?”.

Duke iu referuar Shqipërisë, Hahn tha se reforma e administratës publike është një përparësi për t’u përgatitur për integrimin e saj në familjen evropiane. Kjo është arsyeja pse ne fillojmë dhe mbarojmë duke folur për sundimin e ligjit. Komisioneri njoftoi se në shkurt 2018, Komisioni do të publikojë strategjinë për ecurinë e Ballkanit Perëndimor dhe shtoi se në të ardhmen do t’i kushtohet më shumë vëmendje cilësisë, jo sasisë dhe kohës.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: