TIRANE- Partia Demokratike akuzoi sot kryeministrin Edi Rama se ka qenë ai që ka urdhëruar deputetët e mazhorancës që mos të pranojnë kërkesën e opozitës për hartimin e draftit për reformën në drejtësi. Në një dalje publike para mediave, deputeti i djathtë, Eduard Halimi pohoi se sot opozita do i dërgojë qëndrimin e saj Komisionit të Venecias, ndërsa theksoi se ishte dita kur palët politike hoqën maskat.

“Edi Rama urdhëroi sot deputetët e tij të mos pranojnë kërkesën e opozitës për hartimin e një drafti të vetëm konsensual sipas Komisionit të Venecias për Reformën në Drejtësi, që të shkonim bashkë bazuar në një konsensus sipas Venecias, dhe jo të ndarë.

Sot ishte dita kur palët politike hoqën maskat, kush ishte për Venecian dhe kush ishte kundër Venecias. Kush ishte për një konsensus sipas Venecias dhe kush ishte për kapje politike të drejtësisë me mazhorancën e pazareve.”, citohet në reagimin e Halimit. Ndër të tjera ai theksoi se Rama dërgoi sot një draft të pakonsultuar me askënd.

“Vendimi i sotëm i Ramës që dërgoi një draft të vetin, jo transparent, të pakonsultuar me askënd, të hartuar me urdhër politik, që injoron me arrogancë rekomandimet e Venecias, ishte dëshmi e vullnetit të keq për t’i ikur Venecias, për t’i ikur konsesusit sipas standardeve të Venecias. Opozita tregoi edhe njëherë sot në komision, vullnetin e mirë për një reforme konsensuale bazuar në rekomandimet e Venecias, një reforme që bazohet ne standarde europiane që shmang çimentimin e kapjes politike sipas draftit të Ramës dhe që do shpjegohet pikë për pikë nga ekspertet e saj, në qëndrimin që do i dërgojë komisionit të Venecias.”, përfundon reagimi i deputetit Halimi.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: