NGA FATMIRA NIKOLLI*

Në të majtë, imazhi i një hamami mesjetar, në të djathtë imazhi i një hamami të restauruar në mënyrë të tillë, që dukej sikur ishte një spa e sauna e ditëve tona! Të postuara në rrjetin social “Facebook” nga kryeministri Edi Rama, me shënimin “Hamami i Krujës trashëgimi e shek.15 si e lanë barbarët në 23 qershor 2013 dhe si u kthye në identitet në 18 muaj”, ato shkaktuan zemërimin e ndjekësve të tij e jo vetëm. Në fakt, puna për të nisi në vitin 2012 (në qeverinë e mëparshme), ndërsa zemërimi kishte të bënte me ndryshimin e imazhit të hamamit, aq sa nuk i ngjante më një hamami, aq sa kishte humbur origjinalitetin, aq sa shumëkush pyeste jo pa ironi, pse Koloseu në Romë nuk shtrohet me pllaka, për t’u bërë modern.
Pas lumit të kritikave, Rama vë edhe një sqarim po ironik për ‘kompetentët’ (mbase sepse nuk e di se mes ‘kompetentëve’ ka edhe shumë njohës të mirë të trashëgimisë e restauratorë) ku thotë se “ky rast le të shërbejë për zgjerimin e dijeve mbi trajtimin specifik të monumenteve të kulturës në raste të kësaj natyre”. Përtej shefit të qeverisë, restaurimi ka kushtuar 84 mijë euro dhe nuk është financim i qeverisë shqiptare, por i asaj suedeze.
Për të mësuar më shumë mbi restaurimin dhe arsyet e shndërrimit të këtij hamami, “Gazeta Shqiptare” sjell një intervistë me Lejla Hadzic, drejtuese e Fondacionit suedez Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHWB Albania). Hadzic rrëfen punën prej 2012-ës e deri më sot, arsyet pse pamja e hamamit ndryshoi, si i pret ajo kritikat, cili është shpjegimi për pllakat e mermerit në hamam dhe tregon se e gjithë kjo është bërë me miratimin e Ministrisë së Kulturës.
Ndërkaq, Hadzic tregohet e hapur për debat, kur vjen puna te pyetja: a ta ruajmë siç është, a ta kthejmë siç ishte? A ta restaurojmë apo ta vëmë në punë?
– Është përuruar hamami i restauruar i Krujës. Cilat kanë qenë ndërhyrjet që ju keni bërë?
Jashtë hamamit ne kemi pastruar oborrin, ku kemi gjetur edhe pusin që e pastruam dhe e vumë në dukje. Më pas kemi forcuar çatinë mbi hyrjen e hamamit, e cila ishte pjesa ku njerëzit zhvisheshin ose pinin çaj. Brenda e kemi restauruar hamamin, duke ruajtur të gjitha pjesët autentike të tij dhe duke vënë ato pjesë që mungonin, në mënyrë që të rikthehet në funksionim.
– Ky është një projekt i hershëm. Sa kohë ju është dashur ju të punoni aty?
Që në vitin 2012. Ne morëm dy hamame, këtë të Krujës dhe atë të Gjirokastrës. Mbasi restauruam monumente të kulturës si Babameto 1 dhe Babameto 2 atje, kemi filluar me hamamin e Gjirokastrës ku punimet nuk vazhdojnë se ka probleme pronësie (mes Komunitetit Mysliman dhe privatit) dhe këtë të Krujës, ku nuk kishte probleme se është pronë e shtetit, është nën menaxhimin e kujdesin e Ministrisë së Kulturës.
– Mbas këtij restaurimi, çfarë do të bëhet me hamamin e Krujës? Do jetë vetëm i vizitueshëm nga turistët apo do të ketë ndryshim funksioni? Cila është e ardhmja e tij?
Hamami është ndërtuar në fundin e shek.15 dhe funksionoi si i tillë deri në fundin e shek.18 ose fillimin e shek.19. Pas kësaj periudhe u kthye në magazinë armësh, sipas artikujve të Valter Shtyllës.
Në fund të shekullit XX, sipas gjurmëve që ne kemi gjetur në suva, ka pasur një djegie dhe më pas ishte lënë në harresë. Qenë djegur 3-4 mure, ishte si një varr pothuaj. Nga banorët e Krujës nuk njihej si hamam, po si xhibehane-depo e armëve të ushtrisë turke. Më 1967 u restaurua, kur ishte viti 500 i lindjes së Skënderbeut. Por, ai restaurim nuk u bë për të funksionuar – e ka lënë siç ishte duke rindërtuar pjesët e mureve, të cilët kanë menduar se kanë munguar, e duke e lënë brenda të mbyllur. Në atë mënyrë nuk ishte as i vizitueshëm. Në vitin 2012 ne filluam punën, se kjo ishte një ndër përparësitë e Ministrisë së Kulturës. Në fillim u bë dokumentimi që zgjati 12-14 muaj, për të bërë vizatimet, matjet në terren, analiza materialesh, analiza konstruksioni. Pastaj mbaruam me projektin, i cili kaloi në Këshillin Teknik të Institutit të Monumenteve të Kulturës e më pas te Këshilli Kombëtar i Restaurimit në Ministrinë e Kulturës. Pasi morëm lejet e restaurimit, filluam punën. Nga 16 muaj restaurim, 6 muajt e parë kanë qenë pastrime: pastrim e vëzhgim, sepse ishte me plehra.
– Çfarë gjetët aty?
Kur hoqëm plehrat dhe u bë pastrimi, filluam të kuptojmë më shumë çfarë kemi e çfarë nuk kemi. Ne kemi zbuluar atë dysheme që ishte në hyrje, tani është e dukshme. Ndërkohë gjetëm hipokaustin, e cila është pjesa që është nën dysheme: që largon dyshemenë nga bazamenti e lejon ajrin e ngrohtë të kalojë.
– Më konkretisht, çfarë funksioni ka hipokausti?
Hipokausti është një rrjet kolonash, të vendosura në dysheme dhe të mbuluara me një pllakë guri. Në rastin konkret ka qenë me dy shtresa, të dyja me gurë. Pllakat e gurëve kanë qenë gurë lokalë, pjesë të të cilëve ne i kemi gjetur aty. Poshtë dyshemesë kalonte tymi i nxehtë, që dilte përmes zjarrit. Ngrohte dhomat e larjes, në mënyrë horizontale e vertikale. Në anën tjetër zjarri që bënte këtë tym, ngrohte ujin. Uji kalonte në tubacione qeramike që janë vendosur në mur. Disa prej këtyre tubacioneve i kemi gjetur dhe i kemi riparuar dhe janë bërë siç kanë qenë. Hipokausti është siç ishte.
Ne ngelëm te pyetja: a ta lëmë siç është, a ta mbyllim siç e ka mbyllur Instituti i Monumenteve të Kulturës, ose ta vëmë në funksion. Nëse e linim siç ishte, kjo nuk ishte në origjinalitetin e hamamit, sepse hipokausti nuk ishte ndërtuar për të qenë i dukshëm. Aty mungonte pjesa e dyshemesë, pjesa e banaqeve ku ulesh. Ne mund ta linim ashtu dhe të bënim një interpretim me imazhe. Por diçka që është ndërtuar për të qenë poshtë, po ta lësh të hapur, i ekspozohet kohës, mirëmbajtjes.
Kemi gjetur disa shtresa të dyshemesë që ka qenë mbi hipokaust dhe menduam ta vinim në funksion. Sepse ky funksion do të mbrojë atë që ka autentike ky hamam. Ndaj kemi ribërë dyshemenë dhe janë vënë banaqet ku ulen njerëzit. Tani është krejt funksional.
– Lidhur me këtë funksionin që do të ketë të ardhmen hamami, ka pasur debate e kritika, si fillim në rrjetet sociale. Kryeministri Rama ka postuar në “Facebook” dy foto, si ka qenë dhe si është sot hamami. Shumëkush ka dalë kundër kësaj pamjes së re që ka hamami dhe mënyrës se si është restauruar ai. Në fakt, imazhi të jep idenë e një spa-je a saune moderne, ndërkohë që bëhet fjalë për një hamam mesjetar. Cila është përgjigja juaj për ata që janë kundër e kanë kritika?
Ne nuk e dimë se cila ka qenë pamja e hamamit kur ai funksiononte. Për ne si restauratorë, rëndësi ka të ruhet autenticiteti i monumentit dhe çdo gjë është ruajtur. Për të kuptuar fotot si ishte e si u bë, duhet të kuptosh një hamam. Siç thashë hipokausti (ato kolonat) nuk është bërë për të qenë i dukshëm. Tani kur sheh një foto, ku hipokausti nuk duket, duket sikur çdo gjë është shkatërruar. IMK-ja i kishte mbuluar me dhe që të ruheshin, ndërsa ne i kemi ruajtur sërish, por në një mënyrë tjetër.
– Materiali që keni përdorur ju për të mbyllur-fshehur hipokaustin, çfarë është? Janë përdorur pllaka mermeri?
Është mermer Kruje, ose gur gëlqeror lokal, ose gur i Krastës. Mes dheut që kishte aty, gjetëm disa copë kurrne-je, që është lavaman tradicional, i bërë me gurë lokal. Kjo qe një shenjë ku ne u bazuam për të gjetur llojin e gurit. Lavamani ishte me përmasat 40cm me 40cm. Pra, kemi ruajtur llojin e gurit dhe përmasat. Sërish, të vësh një monument në funksion, ka kritika nga publiku.
Ka shembuj të tillë në botë. Këtu është vënë monumenti në funksion dhe është bërë një shtesë, që është krejt e dallueshme.
-Nëse hiqet kjo pjesa e shtuar nga ju (pllakat e mermerit), si është pjesa poshtë, pra hipokausti?
Është siç ishte. Ne u menduam ç’të bënim, ta linim ashtu apo ta vinim në funksion. Për ta vënë në funksion duhet ta bësh siç ishte dhe ai funksion e mbron monumentin. Deri tani unë mendoja se jo shumë njerëz janë të interesuar për trashëgiminë.
-Ju mendonit se nuk ka interes për trashëgiminë kulturore në Shqipëri dhe po ashtu, mendonit se pak njihet ajo dhe vlerat e saj, apo mënyra e ruajtjes së saj?
Po, dhe kjo është fantastike. Ne shohim gjithë këta njerëz aq të përkushtuar ndaj trashëgimisë kulturore dhe të dhënë për mbrojtjen e saj. Kjo, të bën të ndihesh mirë, e kjo të jep shpresë. Në një farë mënyre mund të hapësh debat dhe të diskutojmë si mund ta bëjmë, si mund të bëjmë më shumë, si mund ta bëjmë më mirë?
– Rivënia në funksionim e hamamit është miratuar nga Instituti i Monumenteve të kulturës apo vetëm restaurimi?
Po, patjetër. I gjithë projekti është miratuar.
– Kjo mund të ngjallë shumë debate, e dini?
Po, shumë mirë.
– Rivënia në funksionim ose në përdorim e hamamit mesjetar, si do bëhet? Kush do ta vërë në punë, me çfarë kushtesh?
Po, ne kemi ndërtuar një plan biznesi, por kjo është pronë e shtetit. Ministrja e Kulturës e ka shprehur qartë se do të hapë një proces tenderimi, ku me kushte të përcaktuara, do të synohet të ruhet. Hamami ka tani një plan e program mirëmbajtjeje, i cili ka edhe kushtet e përdorimit të hamamit si monument kulture. Ministria do e ndjekë procedurën e shpalljes së konkurrimit të tenderit për një biznes që ofron shërbim të tillë, që mund ta marrë këtë objekt, por me një seri kushtesh, ku përdorimi i saj të mos lejojë dëmtimin dhe të mos e dëmtojë. Të ardhurat që do të sjellë ky monument do të mbeten për të. Është një ambient prej 85 metrash katrorë.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: