Pas njoftimit të Austrisë për mbylljen e xhamive Presidenti turk Erdogan paralajmëroi se Turqia do të kundërpërgjigjet.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e kritikoi ashpër qeverinë austriake për planet për mbylljen e xhamive ekstremiste. “Kam frikë se hapat e kancelarit austriak do ta çojnë botën në një kryqëzatë të re,” tha Erdogani në adresë të kancelarit Sebastian Kurz. “Mos mendoni se po e bëtë këtë, ne do të bëjmë sehir? Jo, edhe ne do të ndërmarrim disa hapa”, tha Erdogan.

Turqia i quajti masat e shpallura nga Austria si armiqësore ndaj islamit dhe raciste. Zëdhënësi i Erdogan e akuzoi qeverinë austriake se për mbylljen e xhamive dhe për dëbimin e imamëve po përdor “justifikime të çala”. Kjo është një shprehje e “valës anti-islamike, raciste dhe diskriminuese të populizmit në këtë vend”, shkroi Ibrahim Kalin në Twitter. Austria i sulmon komunitetet myslimane që të “nxjerrë prej kësaj kapital të lirë politik”.

Kalini e akuzoi gjithashtu qeverinë austriake se me politikën e saj “po normalizon islamofobinë dhe racizmin”. Me “veprimet e saj me ngarkesë ideologjike” ajo shkel parimet ligjore bazë, politikat e integrimit, të drejtat e pakicave dhe “etikën e bashkëjetesës”. Mediat turke folën për një “vendim skandaloz”.

Kurz: Në Austri “nuk ka vend për shoqëri paralele”
Qeveria konservatore e Austrisë vendosi të premten se do të dëbojë nga vendi deri në 60 imamë dhe do të mbyllë rreth 7 xhami. Kancelari Kurz tha se në Austri “nuk ka vend për shoqëri paralele, islam politik, tendeca radikalizuese.” Ministri austriak i Kulturës, Gernot Blümel deklaroi se do të mbikqyren dhe kontrollohen jo vetëm xhamitë por edhe aktivitetet e “Ujqve Gri”. Kurse ministri i Brendshëm Kickl u dha urdhër autoriteteve për regjistrimin e shoqatave që të raportojnë për paditë e mundshme ndaj shoqatave të afërta me ATIB-in.

Në gjithë Austrinë ka rreth 260 imamë. Po ashtu qeveria njoftoi se do të mbyllë pas një verifikimi xhami të afërta me “Unionin Turk-Islamik për Bashkëpunimin Kulturor dhe Social në Austri” (ATIB). Nga mbyllja preket edhe një xhami e “Ujqve Gri” të ekstremit të djathtë në Vjenë që ra në sy me disa publikime në internet me inskenime luftërash, ku protagonistë ishin fëmijët. ATIB dyshohet se mbështet nacionalizmin turk.

Po ashtu do të mbyllet edhe Bashkësia Kulturore Arabe, e cila ka gjashtë xhami. Bashkësia Kulturore Arabe thotë se ka rreth 1.000 anëtarë, kryesisht nga Egjipti dhe Çeçenia. Arsye për mbylljen janë ndër të tjera, deklaratat salafiste të përfaqësuesve të kësaj bashkësie në një xhami, tha ai. Salafizmi është një rrymë e prapambetur, jashtëzakonisht konservatore e fesë islame. Ithtarët e salafizimit e konsiderojnë veten si mbrojtës të Islamit të pafalsifikuar. Qëllimi i salafistëve është transformimi i plotë i shtetit, sistemit ligjor dhe shoqërisë sipas rregullave të tyre – dhe vendosja e një “teokracie” islamike. /DW/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb